Meta i pranishëm në GJKKO/ Nis seanca paraprake dhe leximi i provave, pritet nëse çështja do kalojë për gjykim ose jo

Në Gjykatën e Posaçme, ka nisur seanca paraprake për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, për të cilët Prokuroria kërkon kalimin për gjykim. Vetë Meta është i pranishëm në sallë.

Prokuroria ka ende për të lexuar rreth 115 faqe nga dosja, ndërsa gjatë seancës po lexohet edhe lista e provave që mbështesin kërkesën për gjykim.

Në seancën e kaluar pati përplasje mes Metës dhe prokurorit Sotir Kllapi. Prokurori i SPAK arriti të lexonte vetëm 90 faqe nga kërkesa për kalim për gjykim të ish çiftit dhe mbeten edhe rreth 100 faqe të tjera.

SPAK mbylli hetimet më 28 korrik të 2025 lidhur me aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

Konkretisht, deputetja Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.