DOKUMENTI/ Përmbytjet në Durrës, Prokuroria sekuestron dokumentet e tenderit për rehabilitimin e argjinaturës së lumit Erzen
Prokuroria e Durrësit po avancon hetimet shumëanshme mbi shkaqet dhe pasojat e përmbytjeve të fillimvitit në bashkinë bregdetare, e cila ishte një nga zonat më të prekura.
Organi i akuzës, me firmë të prokurores Suela Beluli, mësohet se ka vendosur sekuestrimin e dokumenteve që lidhen me projektin për rehabilitimin e argjinaturës së lumit Erzen.
Konkretisht, është urdhëruar sekuestrimi i dokumentacionit të procedurës së prokurimit, zbatimit dhe marrjes në dorëzim të objektit “Rehabilitimi i argjinaturës, ngritja e bankinës dhe sistemimi i argjinaturës së lumit Erzen”.
Po ashtu, Prokuroria ka kërkuar të gjithë dokumentacionin tekniko-ligjor të lejes së ndërtimit për këtë projekt.
Ky veprim procedurial vjen si pjesë e hetimit të Prokurorisë së Durrësit për të verifikuar ligjshmërinë e procedurave dhe përgjegjësitë e mundshme në lidhje me ndërhyrjet në argjinaturën e lumit Erzen.
Pavarësisht ndërhyrjes, lumi doli nga shtrati dhe shkaktoi përmbytje në fshatrat e Sukthit dhe zonat përreth.
Bilanci paraprak i përmbytjeve në Durrës tregon se rreth 800 banesa janë përmbytur dhe 304 persona janë evakuuar nga zonat e prekura, si pasojë e reshjeve intensive dhe daljes nga shtrati të lumit Erzen.
Ndërkohë, një person humbi jetën, pasi u gjet i mbytur gjatë situatës së përmbytjeve.
Në këtë kuadër, Prokuroria e Durrësit ka njoftuar nisjen e hetimeve për të verifikuar nëse ka shkelje ligjore apo përgjegjësi institucionale.
Hetimi fokusohet te masat parandaluese, funksionimi i infrastrukturës dhe çdo veprim apo mosveprim që mund të ketë ndikuar në bilancin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimi i ujit.
Krahas hetimit nga Prokuroria e Durrësit, zyrtarë të bashkisë bregdetare, mes tyre edhe kryebashkiakja Emiriana Sako, janë kallëzuar në SPAK nga përfaqësues të Partisë Demokratike.
