HRW: Situata për migrantët në Gjermani është përkeqësuar
Kushtet e jetesës për migrantët dhe pasardhësit e tyre në Gjermani janë përkeqësuar, deklaroi sot organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Watch (HRW).
“Ngritja e politikave regresive për migracionin dhe azilin, shtimi i krimeve dhe gjuhës së urrejtjes, si dhe kufizimet ndaj lirisë së shprehjes dhe tubimit kanë ngritur shqetësime serioze,” thuhet në raportin e HRW për Gjermaninë.
Sipas Almaz Teffera, studiuese e HRW për çështjet e racizmit, retorika politike e partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) është përvetësuar gjithnjë e më shumë edhe nga partitë demokratike. Ajo e bëri këtë deklaratë në Berlin, gjatë prezantimit të raportit vjetor më të fundit të organizatës. AfD ka në qendër të programit të saj kërkesën për ligje më të ashpra mbi emigracionin.
Teffera theksoi se është e dëmshme që fillimisht njerëzit me prejardhje migrante të etiketohen si problem dhe më pas të sqarohet se ”migrantët e mirë që punojnë fort këtu nuk janë, gjoja, objekt i kritikave”.
Sa i përket politikës së jashtme, drejtori i HRW për Gjermaninë, Philipp Frisch, tha se si qeveria e mëparshme e qendrës së majtë, ashtu edhe ajo aktuale e qendrës së djathtë, kanë shpërdoruar kredinë morale të Gjermanisë në arenën ndërkombëtare, duke humbur kështu ndikim.
Sipas Frisch, mbështetja pothuajse e pakushtëzuar e qeverisë gjermane për qeverinë izraelite, përballë sulmeve sistematike ndaj popullsisë civile palestineze në Rripin e Gazës, është arsyeja kryesore për këtë humbje besueshmërie dhe influence ndërkombëtare.

