Opozita në pikëpyetje për Komisionin e Reformës Territoriale, Balla shmang sqarimet

Socialistët pasi morën konfirmimin e opozitës se do të merrnin pjesë në komisionet e posaçme, hoqën nga rendi i ditës i seancës plenare të së martës, kërkesën që do u jepte kryesimin dhe shumicën në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.

Paqartësinë dhe pikëpyetjen e opozitës, për mosshqyrtimin e kërkesës që zhbënte paritetin në Komision, Taulant Balla, zgjodhi ta mbajë ende pezull. 

I pyetur nga Ora News pas ceremonisë përkujtimore në nder të Dëshmorëve të 4 shkurtit, zgjodhi të mos përgjigjej se a mund të rikthehej kjo kërkesë, nëse opozita nuk paraqitet në komision, si duket për ta mbajtur atë si një ‘AS’ nën mëngë, për ta përdorur në momentin e duhur.

E përballë këtij qëndrimi, në seancën maratonë të së martës, demokratët u shfaqën të pakënaqur.

Boçi: Kërkesa jonë ka qenë e qartë, pa ekuivok, jo të mos shqyrtohet, sepse mosshqyrtimi ka brenda shqyrtimin, por kërkesa jonë ka qenë tërheqja. Tërheqja tregon vullnetin, shtyrja nuk tregon asgjë. Nuk kemi pas kundërshtuar.

Demokratët e socialistët pritet të qartësojnë qëndrimet e tyre në ditët në vijim, për vijimin e komisioneve të posaçme parlamentare për dy reformat, atë territoriale dhe atë zgjedhore.