Shpallet i humbur një bari 65-vjeçar, dyshohet se u mor nga rrjedha e Vjosës

Një bari 65-vjeçar është shpallur i humbur në fshatin Mezhgoran të Tepelenës. Bëhet fjalë për shtetasin Ylli Dine, i cili nuk është kthyer në banesë që prej mbrëmjes së djeshme.

Familjarët kanë njoftuar Sallën Operative të Policisë, duke kërkuar ndihmë për gjetjen e tij. Sipas informacioneve paraprake, bagëtitë e tij janë gjetur pranë lumit Vjosë, ndërsa vetë bariu nuk është gjetur ende.

Burime nga policia bëjnë me dije se dyshohet se 65-vjeçari mund të jetë marrë nga rrjedha e lumit Vjosë, për shkak të rritjes së nivelit të ujit dhe terrenit të vështirë në zonë.

Forcat e policisë, së bashku me shërbimet e emergjencës dhe banorë të zonës, kanë nisur kërkimet përgjatë lumit dhe në zonat përreth, ndërsa operacioni vijon.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që mund të kenë informacion të kontaktojnë menjëherë policinë.