Mbetjet toksike nga Anija Moliva XA443A/ Ekzekutohen masa për 20 persona

Sipas policisë së Durrësit, operacioni policor i organizuar në Durrës, Tiranë dhe Elbasan ka bërë të mundur ekzekutimin e 20 nga 33 masa sigurie të caktuara me vendim gjykate.

Masat e sigurimit personal u caktuan me kërkesë të prokurorisë për transportimin e 2800 tonë mbetje të rrezikshme të kompanisë Kurum nga porti i Durrësit drejt Tajlandës.

Kontejnerët me mbetje ndërkohë vijojnë të qëndrojnë në zonën e Porto Romanos dhe ende nuk dihet se çdo të bëhet me to, si do të asgjësohen dhe ku, pas përcaktimit të tyre si mbetje të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës po heton rastin e procedimit penal Nr.1596/2024 për kontrabandë, transport dhe menaxhim të mbetjeve të rrezikshme, falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre. Hetimet nisën pas sinjalizimit të OLAF për një ngarkesë prej 2.816 ton mbetjesh që synohej të eksportoheshin nga Shqipëria në Tajlandë, e cila u kthye në Portin e Durrësit.

Ekspertimet laboratorike të kryera në Itali treguan se mbetjet janë toksike dhe rrezikojnë shëndetin e njeriut dhe mjedisin. Bazuar në provat, Prokuroria kërkoi masa sigurimi për 33 persona, mes të cilëve administratorë, drejtues dhe punonjës doganash; deri tani janë ekzekutuar 20 masa.

Hetimet vazhdojnë për të zbardhur të gjitha përgjegjësitë penale të subjekteve private dhe shtetërore të përfshira, duke garantuar mbrojtjen e interesit publik dhe mjedisit.