Vr*sja e ish-policit të burgjeve Gentjan Bejta, autori dënohet me 24 vite burg
Gjykata e Tiranës ka dënuar me 24 vite burg Ilir Beqarajn, i akuzuar si autor i vrasjes së Gentian Bejtjes, ngjarje e ndodhur në Larushk të Fushë-Krujës. Sipas dosjes hetimore, ka rezultuar se persona të armatosur, pasi kanë kaluar rrethimin e jashtëm të banesës së Gentian Bejtjes, kanë hyrë brenda oborrit dhe kanë qëlluar disa herë me armë zjarri, ku si pasojë e të shtënave, Bejtja ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Pak minuta pas ngjarjes, në rrugën dytësore në fshatin Hasan, Fushë-Krujë, është konstatuar duke u djegur një automjet tip “Land Rover”, i cili është përdorur nga autorët në vendngjarje.
Nga provat e administruara rezulton se Ilir Beqaraj, në kohë të ndryshme përpara kësaj ngjarjeje, me mjetin e tij ka qenë në afërsi të vendit ku ndodhet banesa e Bejtjes. Kjo gjë provohet nga këqyrja e GPS-it të automjetit, të cilin e kishte marrë me qira.
Mbi Gentian Bejtjen u qëllua me breshëri dhe, për pasojë, ai mbeti i vdekur në vend. Vrasja e tij lidhet me disa krime të ndodhura në Tiranë, Durrës dhe Fushë-Krujë, ku dyshohet se Bejtja ka pasur dijeni apo ka qenë pjesë e tyre. Viktima i kishte shpëtuar disa atentateve më herët, ndërsa më 4 korrik 2023 iu vra kunati në një atentat në banesën e Bejtjes.
