VIDEO/ Sabotim sigurie në Hamburg/ Tentuan të dëmtonin motorin e anijes luftarake, arrestohen dy persona
Autoritetet gjermane kanë arrestuar një shtetas grek 54 vjeç dhe një shtetas rumun 37 vjeç, të dy të dyshuar për sabotim të anijeve luftarake të Marinës së Gjermanisë.
Sipas hetimeve, dy personat punonin në një kantier detar në Hamburg dhe dyshohet se kanë ndërhyrë në mënyrë të qëllimshme në anije të destinuara për forcat detare gjermane.
Sipas informacioneve nga media gjermane Bild, një prej rasteve më serioze lidhet me korvetën “Emden”, ku në motor janë hedhur mbi 20 kilogramë zhavorr gërryes.
Veprimet kanë shkaktuar dëmtime në tubat e furnizimit me ujë të pijshëm, heqje të kapakëve të rezervuarit të karburantit dhe çaktivizim të çelësave të sigurisë së sistemit elektronik.
Incidenti është konstatuar pak para nisjes së parë të anijes drejt Kielit, në mesin e janarit 2025.
Arrestimet janë kryer njëkohësisht në Hamburg dhe në një fshat pranë Komotinit në Greqi, pas një operacioni të koordinuar nga autoritetet e Hamburgut në bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm.
Në të njëjtën kohë janë zhvilluar kontrolle në banesat e të dyshuarve në Hamburg, Rumani dhe Greqi. Operacionet ndërkufitare janë koordinuar nga Eurojust, me seli në Hagë.
Prokuroria gjermane e konsideron çështjen si kërcënim për sigurinë kombëtare, pasi veprime të tilla mund të shkaktojnë dëme serioze ose vonesa në vënien në gatishmëri të anijeve luftarake, duke ndikuar drejtpërdrejt në aftësinë operative të forcave të armatosura.
Hetimet po vijojnë për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë, ndërsa analizat e provave janë në proces.
Autoritetet rikujtojnë se ndaj të dyshuarve zbatohet parimi i pafajësisë deri në përfundimin e procedurës penale.
Korveta “Emden” është hedhur në det në fillim të majit 2024 në kantierin detar Blohm + Voss dhe ka kryer provat e para të gjata në det në mesin e janarit 2025.
Ajo bën pjesë në pesë korvetat e reja të klasit 130, të porositura në vitin 2017, në kuadër të një programi armatimi me vlerë totale rreth 2 miliardë euro.

