Rrëzohet avioni i vogël në Manchester, një nga pasagjerët arrin të hidhet me parashutë

Një avion i vogël është rrëzuar mëngjesin e së martës, 3 shkurt, pranë autostradës M62 në zonën Littleborough të Rochdale, në Mançester të Britanisë së Madhe.

Shërbimet e emergjencës janë angazhuar menjëherë në vendngjarje, ndërsa zona është rrethuar për arsye sigurie.

Sipas informacioneve paraprake, në bordin e avionit ndodheshin dy persona. Njëri prej tyre dyshohet se ka arritur të shpëtojë duke përdorur parashutë. Autoritetet lokale po punojnë për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit dhe për të vlerësuar pasojat për personat në bord, ndërkohë që qytetarëve u kërkohet të shmangin zonën.

Të dhënat nga faqja e monitorimit të trafikut ajror Flight Radar tregojnë se mjeti fluturues ishte një Cirrus SR20, i nisur nga Birmingham.

Ky model është i pajisur me një sistem të integruar parashute sigurie për raste emergjente. Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale duket se tregojnë një parashutë të verdhë të varur pranë një shtylle në zonë.

Banorë të zonës kanë raportuar një prani të madhe të forcave të emergjencës.

Një fermer vendas ka vënë re një lëvizje të shtuar të automjeteve drejt Blackstone Edge, ndërsa nga një pikë e lartë ka parë në distancë një objekt që fillimisht i është dukur si paraglider në buzë të kënetës.

Edhe nga një shkollë hipizmi aty pranë është raportuar prani e shumtë e policisë, ambulancave dhe helikopterëve, si dhe një parashutë e madhe e verdhë e dukshme në terren. Hetimet për shkaqet e rrëzimit vijojnë.