Rusia “ngre alarmin” për Groenlandën/ Ryabkov: Nëse SHBA sjell sisteme a*mësh, do duhet të marrim masa

Rusia paralajmëron se do të reagojë nëse Shtetet e Bashkuara vendosin sisteme armësh në Groenland.

Moska sinjalizon gatishmëri për masa ushtarake dhe teknike, në rast se Uashingtoni çon përpara planet për dislokimin e elementëve të mbrojtjes raketore në ishullin arktik.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergey Ryabkov, gjatë një prononcimi për mediat në ambasadën ruse në Kinë, ka bërë të ditur se vendosja e sistemeve të armëve ose e elementëve të programit amerikan të mbrojtjes raketore “Golden Dome” në Groenland do të konsiderohej një zhvillim që kërkon kundërpërgjigje.

Sipas tij, Rusia është e përgatitur të ndërmarrë masa kompensuese ushtarake dhe teknike, ndërsa strukturat përkatëse janë në gatishmëri.

Këto paralajmërime vijnë vetëm dy ditë përpara përfundimit të traktatit New START, marrëveshja e fundit për kontrollin e armëve bërthamore mes SHBA-së dhe Rusisë.

Me skadimin e saj, pala ruse sinjalizon hyrjen e botës në një fazë më të rrezikshme të sigurisë globale.

Muajin e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump ka përmendur se po zhvillohen diskutime lidhur me përfshirjen e Groenlandës në projektin “Golden Dome”.

Ai ka folur për një kornizë të një marrëveshjeje të mundshme për ishullin, pas bisedimeve me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s. Groenlanda është territor vetëqeverisës i Danimarkës dhe ka rëndësi strategjike në Arktik.

Trump ka shprehur në mënyrë të përsëritur interesin që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e Groenlandës për arsye të sigurisë kombëtare, një ide që ka hasur kundërshtime të forta nga Danimarka, autoritetet lokale të Groenlandës dhe disa aleatë evropianë.

Programi “Golden Dome” parashikohet si një sistem shumë-shtresor i mbrojtjes raketore, me synim përfundimin deri në fund të mandatit presidencial në vitin 2029.

Ndërkohë, Uashingtoni mohon ushtrimin e presionit të drejtpërdrejtë, edhe pse më herët janë përmendur masa ekonomike ndaj vendeve që kundërshtojnë planet për Groenlandën.