Franca thërret Elon Musk në prokurori për rrjetin 'X', kontrolle për algortime të dyshimta
Elon Musk dhe ish-drejtoresha ekzekutive e X, Linda Yaccarino, janë thirrur për një “dëgjim të lirë” më 20 prill nga prokuroria e Parisit.
Lajmi është konfirmuar nga vetë autoritetet franceze, në kuadër të një hetimi që lidhet me funksionimin e rrjetit social X dhe me algoritmet e përdorura nga platforma, përfshirë edhe Grok.
Në të njëjtën ditë, brigada franceze për luftën kundër krimit kibernetik ka zhvilluar një kontroll në zyrat e X France, në kuadër të hetimit të hapur në Francë mbi mënyrën se si funksionojnë algoritmet e platformës.
Autoritetet dyshojnë për praktika që mund të bien ndesh me legjislacionin francez dhe atë europian për platformat digjitale.
Hetimi nga drejtësia franceze ka nisur që në fillim të vitit 2025, pas një kallëzimi të paraqitur më 12 janar nga deputeti i mazhorancës presidenciale, Éric Bothorel.
Veprimet hetimore po kryhen nga seksioni për luftën kundër krimit kibernetik, në bashkëpunim me agjentë të Europol-it, me fokus të veçantë mbi mënyrën se si funksionojnë algoritmet e X dhe ndikimin e tyre në përhapjen e përmbajtjes.
Entiteti juridik që mban përgjegjësi ligjore për rrjetin social ndodhet në Irlandë, ndërsa dega X France ka rol kryesisht në komunikim dhe marrëdhënie me publikun.
Megjithatë, autoritetet franceze po mbledhin prova dhe të dhëna në territorin e tyre, si pjesë e procedurës hetimore.

