Dalai Lama fiton për herë të parë Grammy, Kina reagon ashpër
Dalai Lama, lideri shpirtëror tibetan, ka fituar për herë të parë çmimin Grammy për veprën “Meditations: The Reflections of His Holiness the Dalai Lama”, një nderim që ai e ka pranuar me “mirënjohje dhe përulësi”.
Për këtë çmim, i cili u mor në emër të tij nga muzikanti Rufus Wainwright, Dalai Lama theksoi se e sheh jo si një çmim personal, por si një përkujtim të përgjegjësisë universale që ndajmë të gjithë.
Megjithatë, lajmi ka shkaktuar reagim të ashpër nga Kina. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, në një konferencë për shtyp deklaroi se Pekini “kundërshton fuqimisht përdorimin e çmimeve artistike si një mjet për manipulim politik anti-Kinë”.
Dalai Lama, i cili jeton në Dharamshala të Indisë që nga 1959, është konsideruar nga Pekini si rebel dhe separatist, pasi u detyrua të largohej nga Tibeti pas shtypjes nga trupat kineze të një kryengritjeje.
Lideri shpirtëror, i cili është gjithashtu fitues i Çmimit Nobel për Paqen, ka mbajtur për dekada fjalime dhe fushata për më shumë autonomi për Tibetin, ndërkohë që Kina e konsideron provincë të pandashme të saj.
Fitimi i këtij Grammy shihet si një moment historik që vlerëson ndikimin e tij shpirtëror dhe përkushtimin ndaj paqes dhe mesazheve universale të bashkëjetesës dhe tolerancës.

