Shkurti, një muaj ku arti dhe dashuria takohen çdo mbrëmje në TKOBAP

Kalendari artistik i Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor këtë muaj i kushtohet ndjenjës sublime të dashurisë.

Shkurti në TKOBAP hap siparin me operën e Gaetano Donizetti-t, “L’Elisir d’Amore”, e cila rikthehet në skenë si një produksion krejtësisht i ri, pas një mungese 14-vjeçare.

Muzika e paharrueshme e këtij kompozitori italian do të mbushë sallën e TKOBAP për katër mbrëmje, me interpretimin e artistëve të njohur të skenës shqiptare dhe ndërkombëtare, si Enkeleda Kamani, Gëzim Myshketa, Davide Luciano, Nina Muho, Artur Vera, etj.

Muaji vijon me koncertin e muzikës së dhomës “LUM”, një mbrëmje emocionale nga Hersi Matmuja (vokal) dhe Jacopo Conoci (violonçel).

TKOBAP thotë se një pjesë e rëndësishme e misionit të tij është edhe zhvillimi i brezit të ri. Në këtë kuadër, gjatë datave 16 dhe 17 shkurt organizohet një masterclass vokal me dy baritonë të mirënjohur ndërkombëtarisht, Gëzim Myshketa dhe Davide Luciano, duke ofruar një hapësirë formimi dhe shkëmbimi artistik.

Energjia dhe zëri i brezit të ri vijnë në skenë përmes koncertit simfonik “Brezi i Lirisë”, nga Orkestra e të Rinjve “Amadeus” një përjetim muzikor që bashkon pasionin rinor me fuqinë e interpretimit.

Në datat 19 dhe 20 shkurt, Magjia e Disney-t është koncerti vokal simfonik që sjell kolonat zanore më të dashura të filmave vizatimorë, i dedikuar për fëmijë e të rritur, ku muzika dhe imagjinata krijojnë një atmosferë plot ëndrra nën dirigjimin e maestro Diego Bassi.

Në fund të muajit, opera “L’Elisir d’Amore” rikthehet në versionin për fëmijë dhe familje, duke e bërë këtë vepër të dashur edhe për të vegjlit.

Kalendari artistik i shkurtit përmbyllet me premierën etnomuzikore të Ansamblit Popullor, “Rrugëtim në Arbëri”, një udhëtim artistik drejt rrënjëve dhe identitetit tonë kulturor.