Kapja e 5 ton dr*ge, Vuçiç mohon përfshirjen e shtetit, hetime për trafik dhe lidhje politike
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç mohon çdo përfshirje të shtetit në rastin e sekuestrimit të pesë tonëve marihuanë në Serbinë qendrore, ndërsa rasti ka shkaktuar debate dhe akuza politike.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar pas operacionit të madh antidrogë ku u sekuestruan pesë tonë marihuanë në pronën e një zyrtari lokal të partisë në pushtet.
Ai deklaroi se shteti nuk ka asnjë lidhje me këtë aferë dhe se operacioni është realizuar nga policia në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar.
Vuçiç tha se disa persona janë arrestuar dhe se mbetet në dorën e autoriteteve të drejtësisë të përcaktojnë përgjegjësitë individuale. Ai akuzoi kundërshtarët politikë se po përpiqen ta paraqesin rastin si skandal shtetëror.
Operacioni u zhvillua më 29 janar në fshatin Konjuh, pranë Krushevcit, nga Policia e Serbisë në bashkëpunim me Prokurorinë për Krim të Organizuar. Sipas hetuesve, droga dyshohet se ishte siguruar në Maqedoninë e Veriut dhe ishte pjesë e një rrjeti ndërkombëtar trafiku.
Autoritetet kanë identifikuar disa të dyshuar dhe kanë kërkuar edhe fletarrestim ndërkombëtar për personin e cilësuar si organizator i grupit, i cili raportohet në arrati.
Rasti mori ngjyrime politike pasi opozita pretendon se një nga të arrestuarit ka lidhje me Partinë Përparimtare Serbe në pushtet. Kreu i Lëvizjes Popullore të Serbisë, Mirosllav Aleksiç, deklaroi se i arrestuari ka qenë këshilltar i kësaj partie në Krushevc dhe person i afërt me familjen e ministrit të Mbrojtjes.
Ministri i Mbrojtjes, Bratisllav Gashiç, nuk ka komentuar drejtpërdrejt mbi akuzat, por ka përgëzuar policinë për operacionin, duke theksuar se askush nuk është i mbrojtur nga ligji.
Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të zbuluar rrjetin e plotë të përfshirë në këtë rast, i cili ka rikthyer në vëmendje çështjen e lidhjeve të mundshme mes krimit të organizuar dhe politikës në Serbi.

