Vedat Muriqi shënon edhe ndaj Seviljes, golashënuesi më i mirë në La Liga pas Mbappe...
Vedat Muriqi vazhdon të lërë gjurmë në kampionatin spanjol të futbollit. Sulmuesi i Majorkës dhe i kombëtares së Kosovës shënoi edhe në ndeshjen ndaj Seviljes, për ta çuar në 15 numrin e golave të shënuar në këtë sezon me fanelën e skuadrës ishullore, duke barazuar rekordin e tij personal me Maljorkën në sezonin 2022/23.
Në këtë ndeshje mungoi mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla, për arsye dëmtimi.
Në minutën e 26-të, Majorka fitoi një 11-metërsh që u akordua me sistemin VAR me ‘Piratin’ që iu drejtua pikës së bardhë, duke e dërguar topin në rrjetë dhe zhbllokuar rezultatin në këtë përballje. Muriqi pati rol edhe në golin e tretë të Majorkës teksa gjuajtja e tij u devijua në gol nga Darder që mori autorësinë e tij.
Vedat Muriqi me 15 golat e tij është i vetëm në vendin e dytë në klasifikimin e shënuesve më të mirë të La Liga teksa përpara tij është vetëm Kylian Mbappe me 22 gola, ndërsa ndjekësi më i afërt i dardanit është Ferran Torres i Barcelonës me 12 gola.
Vlen të kujtohet se Vedat Muriqi u shpall edhe futbollisti më i mirë i muajit janar në kampionatin spanjol. Përsa i përket ndeshjes, rezultati përfundimtar mbeti 4-1 për Majorkën që ngjitet në kuotën e 24 pikëve në vendin e 13-të, ndërkaq Vedat Muriqi u shpall edhe “Lojtari më i mirë” i ndeshjes.
