FIFA heq pezullimin e Rusisë? Infantino: Me përjashtimin nuk kemi arritur asgjë

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka deklaruar se qeveria botërore e futbollit duhet të shqyrtojë heqjen pezullimin ndaj Rusisë për pjesëmarrjen në turnetë ndërkombëtarë.

Rusia u përjashtua menjëherë pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, por Infantino tashmë shprehet kundër bojkotit.

“Ne duhet ta shqyrtojmë rikthimin e Rusisë patjetër. Ky përjashtim nuk ka arritur asgjë, vetëm ka krijuar më shumë frustrim dhe urrejtje. Unë jam kundër përjashtimeve dhe bojkotit, pasi ato vetëm krijojnë më shumë urrejtje”, u shpreh ai, duke shtuar se përfshirja e të rinjve rusë në futbollin europian do të jepte një mesazh pozitiv.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Infantino ka forcuar lidhjet me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, të cilit i dha “Çmimin e Paqes nga FIFA” në dhjetor.

Ndërkohë, FIFA ka hapur zyra në “Trump Tower” dhe ka emëruar Ivanka Trump në bordin e një projekti bamirësie, ndërsa SHBA përgatitet të presë Botërorin këtë verë mes thirrjeve për bojkot për shkak të politikave të jashtme të administratës Trump.