(VIDEO+ EMRI) Mirditë/ Dogji dyqanin me materiale të përdorura, policia parandalon zjarrvënien e rradhës dhe prangos 52-vjeçarin
Policia e Mirditës ka arrestuar një 52-vjeçar, për zjarrvënie të qëllimshme në tregun e qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, ai dogji një dyqan me materiale të përdorura dhe tentoi të digjte edhe një gomisteri.
Zjarri i dytë u ndalua në kohë nga Policia, duke shmangur dëme më të mëdha.
Pas njoftimit për rënien e zjarrit, blutë shkuan menjëherë në vendngjarje.
Nga veprimet e para u dyshua se bëhej fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, Policia identifikoi dhe arrestoi autorin e identifikuar si Luan Vuka alias Artan Vuka, 52 vjeç, banues në Ndërfushaz të Mirditës.
Sipas uniformave blu, i arrestuari ka precedentë penal të mëparshëm.
Ai akuzohet për veprën penale shkatërrimi i pronës me zjarr.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.
NJOFTIMI I POLICISË:
Mirditë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fast”.
Dogji te tregu i qytetit një dyqan me materiale të përdorura dhe tentoi të digjte edhe një gomisteri, falë reagimit të shpejtë e profesional të Policisë, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga një 52-vjeçar.
Autori i dyshuar, me precedent kriminal të mëparshëm, i dënuar më parë për dhunë në familje, goditje për shkak të detyrës ndaj punonjësve të Policisë, dëmtim prone, mbajtje pa leje të armëve të ftohta dhe thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Pas njoftimit të marrë se kishte rënë zjarr në një dyqan me materiale të përdorura, në pronësi të shtetasit Gj. D, dhe se ishin djegur disa goma në gomisterinë e shtetasit A. P., me qëllim djegien e gomisterisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë organizuan punën për zbardhjen e rrethanave të dy rasteve.
Nga veprimet e shpejta të kryera në vendngjarje lindi dyshimi i arsyeshëm se të dy rastet ishin zjarrvënie të qëllimshme.
Në këtë kuadër, në bashkëpunim me Prokurorinë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Fast”.
Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe profesional të strukturave të Policisë, në kuadër të operacionit u bë e mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, i autorit të dyshuar, shtetasit L. V., alias A. V., 52 vjeç, banues në fshatin Ndërfushaz, Mirditë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të dy rasteve të zjarrvënies.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.
