Të bashkuar kundër drejtësisë? Bici: Rama dhe Berisha në 'l*ftë' me SPAK

Deklaratat e fundit të raportuesit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, kanë ngjallur një debat të gjerë në skenën politike vendase.

Ndërsa vlerësoi progresin e qeverisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, qasja e tij është perceptuar si e njëanshme, duke drejtuar kritika të forta ndaj opozitës dhe duke anashkaluar problematikat e shumta me të cilat përballet mazhoranca aktuale.

Sipas gazetarit të "Ora News", Bekim Bicit, qëndrimi i Schieder ka dy anë të medaljes. Nga njëra anë, mbështetja e tij për integrimin e Shqipërisë konsiderohet një lajm pozitiv.

Megjithatë, nga ana tjetër, kritikat e tij duket se fokusohen në mënyrë disproporcionale tek veprimet e opozitës, duke lënë përshtypjen e një mbajtjeje ane politike. Kjo qasje vihet në pikëpyetje sidomos kur merret parasysh se ai nuk gjeti asnjë element për të kritikuar te qeveria, por vetëm e përgëzoi për punën e bërë.

"Në fakt, nëse do të ndalemi tek deklaratat e zotit Schieder për Shqipërinë, nga njëra anë është lajm i mirë për Shqipërinë, domethënë qasja pozitive që edhe euro-raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian kishte ndaj integrimit të vendit tonë në strukturat e Bashkimit Evropian, është një qasje tërësisht pozitive.

Por nga ana tjetër vlen apo lë për të dëshiruar mënyra se si një diplomat si zoti Schieder, qaset edhe karshi opozitës.

Pra, nëse do të shohim, zakonisht diplomatët patjetër që do të flasin në një gjuhë diplomatike, në një gjuhë të kujdesshme, por në rastin konkret, zoti Schieder duket sikur në një farë forme mbajti një lloj ane, duke kritikuar më shumë opozitën sesa vetë mazhorancën, ku mazhoranca vlen të theksohet që gjendet përballë një sërë problematikash, kritikash, një sërë akuzash.

Kemi një mazhorancë që tashmë le të themi, ka një sërë, le të themi, eksponentësh të lartë të saj, të Partisë Socialiste, por edhe vetë të qeverisë, të cilët ose janë nën hetim, ose janë të burgosur, ose janë të dënuar, që kanë kryer, le të themi, dënimin e tyre, ose janë në arrati.

Pra, një mazhorancë, me të gjitha këto, le të themi, aspekte negative të saj, zoti Schieder nuk gjeti dot asnjë, le të themi, gjë për të kritikuar, por vetëm e përgëzoi për punën e bërë dhe madje edhe krahas deklaratave që bëri më herët në një konferencë me gazetarët pas takimeve që pati me faktorët politikë dhe aktorët politikë në vendin tonë, pati edhe një tjetër, ajo duhet dhe është qeveria, sepse një qeveri aq më tepër si në rastin konkret, qeveria jonë është qeveri që tashmë është në mandatin e katërt.

Nuk besoj që ka qeveri në botë, qoftë kjo edhe vendet më të zhvilluara dhe më demokratike, që nuk ka nevojë për kritikë. Pra, në çdo vend të botës ka vend për kritika për qeverinë.

Ndërkohë, në rastin e zotit Schieder, e pashë që në këtë aspekt ishte tërësisht, le të themi, i distancuar. Por nga ana tjetër gjeti, le të themi, për të kritikuar opozitën, lidhur me aksionet e opozitës, aksionet politike brenda dhe pushtetet e tjera, të cilat janë të pavarura, përfshirë këtu sistemin e drejtësisë apo drejtësinë e re, strukturat e drejtësisë së re, SPAK-un apo GJKKO-në.

Dhe nëse i referohemi kësaj, patjetër që një kritikë e tillë i prek edhe strukturat e mazhorancës, strukturat qeverisëse, por edhe vetë Parlamentin e Shqipërisë, pasi SPAK la të kuptohej në përgjigjen e tij që ai gjatë gjithë kohës, për çdo rast që është kërkuar raportim në institucionet ku SPAK apo GJKKO do të duhet të raportojë, ai e ka kryer këtë detyrë dhe nuk ka pse të ketë një vizitë tjetër monitoruese nga një, le të themi, komision i një institucioni tjetër apo i një pushteti tjetër të pavarur, sepse e konsiderojnë si një tentativë për ndërhyrje në punën e tyre.

Kështu që deklaratat e Schieder merren në të dyja anët e medaljes.

Pra, merren nga njëra anë si vlerësim për punën e Shqipërisë të bërë deri në këto momente për përafrimin e legjislacionit me Bashkimin Evropian, por nga ana tjetër merret edhe si një lloj kritike për të gjithë ata që sot qëndrojnë karshi apo përballë asaj çfarë Shqipëria do të duhet të bëjë për t'u integruar dhe për të mbyllur së pari negociatat deri në vitin 2027, afati i vendosur paraprakisht, dhe më pas për t'u anëtarësuar me të drejta të plota deri në vitin 2029-2030.

Kjo të paktën është ajo çfarë unë kam arritur të shoh nga vizita e zotit Schieder, përkundër faktit që ndoshta do të ishte, le të themi, e udhës edhe nga vetë opozita që të kishte një lloj tentative për t'u ulur edhe më edhe edhe më tej me me strukturat e Bashkimit Evropian apo me të dërguarit e Bashkimit Evropian si në Shqipëri, po edhe gjatë vizitave të tyre që bëjnë siç ishin ato që u zhvilluan së fundmi nga vetë zoti Berisha por edhe përfaqësues të tjerë të Partisë Demokratike në Strasburg.

Po që ka një presion të dukshëm, ajo është, bën, në thonjëza bën mu. Sepse nga njëra anë kemi një opozitë dhe një lider opozite që në çdo paraqitje, detyrim paraqitje para SPAK mban një fjalim ku linçon me emra të përveçëm anëtarë të strukturave të posaçme, pra të Prokurorisë së Posaçme, por edhe anëtarë të Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Pra, kjo në vetvete është një një një lloj ndikimi apo një tentativë për presion ndaj strukturave të posaçme apo drejtësisë së re.

Nga ana tjetër, krahas opozitës, kemi një mazhorancë, si në rastin konkret zotit Rama, i cili është aktualisht një nga kritikuesit më të drejtpërdrejtë të, le të themi, të drejtësisë së re, pavarësisht se shprehet që Partia Socialiste është garante dhe është ajo që e ngriti apo e reformoi drejtësinë dhe është garante pikërisht për vijimësinë e reformës në drejtësi, por nga ana tjetër, krahas kësaj shprehet se ka ka shumë për të rregulluar, duke iu referuar këtu me emra konkret edhe prokurorësh, po ashtu edhe nga Partia Socialiste, por edhe gjyqtarëve, të cilët sipas tyre, për interesa të caktuar, tentojnë të marrin edhe apo të të ndërhyjnë në një pushtet tjetër, siç është pushteti ekzekutiv, por edhe ai legjislativ", u shpreh Bici.