Noka: Rikthimi i padëshiruar i Donikës në Vlorë

Tregtarët e tregut të madh të Vlorës, të cilët kundërshtojnë zhvendosjen e përkohshme gjatë rikonstruksionit të hapësirës ku ushtrojnë aktivitetin e tyre, protestuan sot para Teatrit “Petro Marko”, në të njëjtën kohë kur aty po zhvillohej një forum me pjesëmarrjen e diplomatëve të huaj.

Protesta tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve, ndërsa ministrja Elisa Spiropali ndaloi për të komunikuar me tregtarët. Ajo u premtoi se do të zhvillojë bisedime me kryetaren e Bashkisë së Vlorës dhe me anëtarët e Këshillit Bashkiak, me qëllim njohjen më nga afër me shqetësimet dhe kërkesat e tyre.

Tregtarët shprehën pakënaqësinë ndaj vendimit të Bashkisë së Vlorës për largimin nga tregu aktual, duke kërkuar një zgjidhje alternative që të mos dëmtojë aktivitetin e tyre ekonomik.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka publikuar një video nga vizita e sotme e ministres Spiropali në Vlorë, ku ajo përballet me reagime të ashpra nga tregtarët. Në pamje dëgjohen kundërshtime të forta dhe thirrje që kërkojnë largimin e saj.

Noka e cilëson këtë episod si një “rikthim të padëshiruar”, duke theksuar se qytetarët dhe tregtarët vlonjatë janë të lodhur nga propaganda dhe premtimet boshe të qeverisë.