“Protothema” zbulon detajet e frikshme nga hetimi i shpërthimit tragjik në fabrikën ushqimore: Punëtorët paralajmëruan për rrezikun, por u injoruan

Hetimet për shpërthimin tragjik në fabrikën e kompanisë Violanta (Greqi) , ku humbën jetën pesë punëtorë, po vijojnë me intensitet, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin shkaqet që çuan në aksidentin fatal.

Sipas burimeve pranë hetimit, një nga pistat kryesore lidhet me rrjedhjen e gazit në tubacionet e fabrikës.

Dyshohet se tubat mund të jenë dëmtuar gjatë punimeve të kryera verën e kaluar, kur zona mbi të cilën kalonin u asfaltua dhe mbi të kaluan mjete të rënda. Ky dëmtim besohet se ka çuar në rrjedhjen e gazit dhe më pas në shpërthim.

Për këtë arsye, gërmimet në ambientet e fabrikës do të vijojnë edhe ditët në vazhdim, ndërsa hetuesit pritet të marrin deklarata të reja nga persona të tjerë të lidhur me kompaninë.

Në të njëjtën kohë, hetimi është fokusuar edhe te rezervuarët e propanit të vendosur në fabrikë. Dokumente të vitit 2020 tregojnë se autoritetet rajonale të Thesalisë kishin konstatuar se dy rezervuarët nuk ishin të vendosur sipas rregullave, një fakt që po shqyrtohet tani si element i rëndësishëm për sigurinë e objektit.

Një tjetër problem serioz lidhet me bodrumin e fabrikës, i cili sipas hetimeve nuk kishte leje ndërtimi. Për shkak të rrjedhjes së gazit, kjo hapësirë u shndërrua në një zonë shumë të rrezikshme, ku u grumbullua propani. Sipas autoriteteve lokale, bodrumi nuk është përfshirë në asnjë nga lejet e ndërtimit të dhëna për fabrikën që nga viti 2007.

Ndërkohë, deklarata të forta ka bërë edhe presidenti i Sindikatës së Qumështit, Ushqimit dhe Pijeve të Trikalës, Giorgos Liatifis. Ai tha se punëtorët kishin ndjerë erë të fortë gazi disa ditë para shpërthimit dhe kishin ngritur shqetësime, por nuk ishin marrë parasysh.

Sipas tij, era e gazit ishte aq e rëndë sa punëtorët kishin vështirësi edhe për të përdorur tualetet e fabrikës, ndërsa u ishte thënë të mos shqetësoheshin, me justifikimin se bëhej fjalë për një problem të përkohshëm.

Hetimet po vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e shpërthimit, i cili tronditi opinionin publik dhe ngriti pikëpyetje serioze për kushtet e sigurisë në vendet e punës.