Zjarri që u mori jetën 5 punonjësve në fabrikën ushqimore, qeveria greke: Po manipulohet opinioni publik

Në sfondin e tragjedisë në fabrikën “Violanta” dhe kritikave të forta për mungesën e mekanizmave të kontrollit, qeveria greke ka kaluar në kundërsulm, duke refuzuar atë që e cilëson si përpjekje për të shtrembëruar realitetin mbi aksidentet në punë. Sipas qeverisë, po tentohet të përsëritet “gabimi i vitit të kaluar me çështjen e ksilenit”, e cila, siç thonë zyrtarët, u lejua të dominojë debatin publik dhe të ndezë zemërimin gjatë protestave të Tempit.

Prej disa ditësh, qeveria citon të dhëna zyrtare të Autoritetit të Pavarur të Inspektimit të Punës, sipas të cilave në vitin 2025 janë regjistruar 42 aksidente në punë, ndërsa 5 raste të tjera janë ende nën hetim. Sipas këtyre shifrave, trendi mbetet i qëndrueshëm që nga viti 2021.

Zyrtarët qeveritarë theksojnë se këto të dhëna rrëzojnë pretendimet e sindikatave, të cilat flasin për 201 aksidente vetëm gjatë vitit 2025.

Qeveria ka vënë gjithashtu në shënjestër presidentin e OSETEE-së dhe sekretarin e Komitetit të Shëndetit dhe Sigurisë në GSEE, Andreas Stoimenidis, i cili publikon të dhëna që përfshijnë edhe aksidente me pasoja fatale.

Në përgjigje të akuzave për mungesë kontrollesh, qeveria bën të ditur se Inspektorati i Punës ka rritur ndjeshëm aktivitetin e tij: nga 54 mijë inspektime në vitin 2018, në 79 mijë në vitin 2024. Po ashtu, gjobat e vendosura janë rritur nga 33 milionë euro në 51 milionë euro.

Sa i përket mungesës së personelit, një kritikë e ngritur veçanërisht nga kreu i PASOK-ut, Nikos Androulakis zëdhënësi i qeverisë deklaroi se janë plotësuar 902 nga 995 pozicione organike, një nivel rekord sipas standardeve shtetërore.

Ndërsa deputetët e Demokracisë së Re janë udhëzuar të pezullojnë aktivitetet partiake deri të dielën, kryeministri Kyriakos Mitsotakis rikthehet në terren.

Këtë të enjte ai do të vizitojë Heraklionin dhe kantierin e ndërtimit të aeroportit të ri në Kastelli. Më pas, së bashku me ministrin përkatës Christos Dimas, do të marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes për furnizimin me pajisje të navigimit ajror.

Më vonë gjatë ditës, Mitsotakis do të udhëtojë drejt Zagrebit për të marrë pjesë në samitin informal të liderëve të Partisë Popullore Evropiane. Ndërkohë, nga java e ardhshme pritet të nisë zyrtarisht përgatitja për konferencën e partisë, me kryetar të Komitetit Organizativ ish-kreun e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Roussopoulos. Para-konferenca e parë do të zhvillohet të mërkurën në Janinë./ Përgatiti: Syri.net