Mijëra amerikanë protestojnë në Minneapolis kundër administratës Trump dhe ICE-it

Mijëra persona kanë zbritur në rrugët e qendrës së Minneapolis për të protestuar kundër administratës së presidentit Donald Trump dhe masave shtrënguese ndaj emigrantëve, të zbatuara nga agjencia federale ICE (Immigration and Customs Enforcement).

Protesta në Minneapolis ishte pjesë e një dite mobilizimi mbarëkombëtar, e cilësuar nga organizatorët si një “national shutdown”, me manifestime të zhvilluara edhe në qytete të tjera të mëdha amerikane, përfshirë New York-un. Pavarësisht temperaturave të ulëta, pjesëmarrja ishte e gjerë, me protestues që marshonin ngadalë duke brohoritur sloganin: “Të kujt janë rrugët? Rrugët janë tonat”.

Qindra persona të tjerë ndoqën protestën nga Skyway, rrjeti i korridoreve të mbuluara mbi rrugë që lidhin ndërtesat në qendër të qytetit, duke mbajtur pankarta kundër veprimeve të ICE-it.

Në mbështetje të protestës ka kontribuar edhe muzikanti i njohur amerikan Bruce Springsteen, i cili u shfaq si i ftuar surprizë në një koncert bamirësie të organizuar nga Tom Morello i grupit Rage Against The Machine, në ambientet e lokalit historik First Avenue, në qendër të Minneapolis. Springsteen doli në skenë me një kitarë ku ishte shkruar slogani “Arrest The President”, duke shprehur qëndrimin e tij kritik ndaj administratës Trump dhe asaj që ai e cilësoi si brutalitet të ICE-it.

Gjatë ditës u shënua edhe një zhvillim i bujshëm, me arrestimin e gazetarit Don Lemon, ish-prezantues i rrjetit CNN, i cili po ndiqte një protestë të zhvilluar në një kishë të qytetit. Arrestimi ka ngjallur reagime dhe shqetësime lidhur me lirinë e medias dhe të drejtën e raportimit.

Protestat janë nxitur nga indinjata publike pas vdekjes së dy shtetasve amerikanë, ngjarje që protestuesit ia atribuojnë veprimeve të forcave federale gjatë operacioneve kundër emigrantëve.