Cisterna "Grinch" largohet nga Marseja/ Franca premton masa më të ashpra
Autoritetet franceze do të detyrohen, “për arsye ligjore”, të lejojnë largimin e cisternës së dyshimtë të naftës Grinch, bëri të ditur presidenti francez Emmanuel Macron.
Cisterna konsiderohet e dyshuar se i përket të ashtuquajturit “flota hije ruse” dhe u sekuestrua javën e kaluar nga autoritetet franceze.
Sipas gazetës franceze Le Monde, e cila i referohet një publikimi të gazetës ukrainase Yevropeyska Pravda, presidenti francez i ka premtuar homologut të tij ukrainas se legjislacioni ekzistues do të reformohet, në mënyrë që të garantohet se anijet e flotës hije ruse do të mund të konfiskohen.
Në artikull thuhet gjithashtu se presidenti ukrainas vlerëson se kjo është “një çështje që ka të bëjë kryesisht me shtetet veriore detare” dhe se ai sheh një prirje “drejt zgjidhjeve që pa dyshim do t’i komplikojnë gjërat për rusët”.
Anija Grinch, e cila u sekuestrua më 22 janar në Mesdhe dhe më pas u transportua në portin e Marsejës, është anija e dytë që i nënshtrohet sanksioneve ndërkombëtare dhe bllokohet nga autoritetet franceze, pas Boraçay në fund të shtatorit.
Ndalimi i kapitenit indian u hoq pardje, të mërkurën, nga prokuroria e Marsejës, e cila, sipas gazetës franceze, ka nisur një hetim paraprak për “mosngritje të flamurit”.
