Donald Trump nuk i lyen më flokët: Një lëshim ndaj moshës!

Nga biond në ngjyrë platini duke kaluar edhe në një fazë rozë, sidoqoftë, tani, sipas revistës ”New York”, presidenti amerikan, Donald Trump ka hequr dorë nga lyerja e flokëve.

”Është i vetmi lëshim ndaj moshës”, i ka thënë një burim nga Shtëpia e Bardhë gazetarit të së përjavshmes, i cili ka bërë një check-up të presidentit duke e intervistuar për shëndetin e tij.

Trump, i cili mbush 80 vjeç më 14 korrik, është i njohur si hipokondriak: prandaj nuk duhet t’i ketë pëlqyer shumë goditja e revistës, e cila e titulloi profilin e gjatë ”The Superhuman President” (”Presidenti mbinjerëzor”).

”Nëse do të shkruani një histori të keqe për shëndetin tim, do t’ju bëj keq me padi njëra pas tjetrës”, ka kërcënuar Trump intervistuesin, në prani të dy mjekëve.

”Jam në shëndet të përkryer dhe ndihem njësoj si 40 vjeç”, ka thënë manjati, edhe pse pas kuintave bashkëpunëtorë të tjerë kanë pranuar shenja rënieje: për shembull dëgjimi, pasi ai u kërkon shpesh bashkëbiseduesve të flasin më fort, edhe pse sipas të gjithëve vetë ai ”nuk është i vetëdijshëm që nuk dëgjon”.

Asgjë serioze gjithsesi, dhe asgjë që të konfirmojë thashethemet për probleme kardiake, të qarkullimit të gjakut apo mendore që kanë qarkulluar muajt e fundit (mavijosjet në dorë që i atribuohen shtrëngimeve të duarve dhe aspirinës në dozë të lartë, kyçet e fryra apo dremitjet gjatë mbledhjeve të qeverisë).

Duke folur për të atin, Fred, i vdekur në moshën 93-vjeçare, por i prekur nga Alzheimeri, në vitet e fundit të jetës, Trump pati një moment boshllëku:

”Kishte një problem. Në një moshë, rreth 86, 87 vjeç… filloi të kishte, si quhet ajo gjëja?”, pyet ai.

”New York” shkruan se në atë moment presidenti u kthye nga zëdhënësja, Karoline Leavitt për t’i sugjeruar termin.

”Alzheimer”, u përgjigj ajo.

”Diçka si Alzheimer”, pohoi Trump.

Trump ia ka atribuar shëndetin e tij gjenetikës.

”Gjenetikisht jam shumë mirë. Nëna ime dhe familja e saj kanë jetuar gjatë, shumë mbi të 90-at. Asnjë sëmundje zemre në familje. Kam një mik, nëna e të cilit ka vdekur 49 vjeçe dhe babai 50, të dy nga infarkti… Kundër gjenetikës nuk mund të bësh asgjë”, thotë ai.