Avioni i Katarit me 104 persona në bord përplaset me shtyllën e ndriçimit të aeroportit të Malpensas

Një avion ushtarak transportues i Katarit është përfshirë në një incident në aeroportin Malpensa të Milanos, ku gjatë procedurës së uljes ka goditur lehtë një shtyllë ndriçimi.

Avioni, një C-17 Globemaster II, po transportonte 104 anëtarë të forcave elitare të sigurisë së Katarit, si dhe mjete të rënda, automjete tip SUV dhe snowmobile, në kuadër të masave të sigurisë për Lojërat Olimpike Dimërore.

Sipas autoriteteve italiane, incidenti ka ndodhur pas një manovrimi të gabuar gjatë fazës së lëvizjes mbrapa pas uljes dhe nuk ka shkaktuar të lënduar apo dëme serioze.

Burime nga Ministria e Brendshme e Italisë sqaruan se personeli katarian ka një rol kryesisht trajnues dhe se bashkëpunimi mes dy vendeve është pjesë e një marrëveshjeje zyrtare për sigurinë e lojërave.

Pavarësisht incidentit, ceremonia zyrtare e pritjes u zhvillua normalisht, me praninë e ambasadorit të Katarit në Itali dhe zyrtarëve lokalë.

Më pas, një konvoj mjetesh të blinduara dhe SUV-sh me mbishkrimin “State of Qatar-Lekhwiya”, i shoqëruar nga policia italiane, kaloi nëpër qendrën e Milanos, përfshirë zonat Duomo dhe San Siro, ku do të mbahet ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike Dimërore.

Autoritetet theksojnë se masa të shtuara sigurie janë në fuqi, me rreth 6.000 efektivë policie italianë të angazhuar, të mbështetur edhe nga personel ndërkombëtar.