Deklasifikohen dokumentet në Gjermani/ Vladimir Putin e donte Ukrainën që në vitin 1994

Vladimir Putin ushtronte fantazitë e tij imperialiste shumë përpara zgjerimit të NATO-s drejt lindjes. Në fillim të vitit 1994, ai, atëherë zv/kryetar i Bashkisë së Shën Petersburgut, i shpjegoi një konsulli gjerman se “Krimea, Ukraina lindore dhe veriu i Kazakistanit nuk kanë qenë kurrë një shtet i huaj, por gjithmonë kanë qenë pjesë e pandashme e territorit rus”. Dhe pasi e theksoi se të drejtat e rusëve duhen mbrojtur, Putin i shpjegoi diplomatit gjerman se “Perëndimi do të bënte gabim” nëse do të konsideronte këto fantazi si “një rikthim të imperializmit”. Nga pikëpamja e presidentit të ardhshëm të Rusisë, ato ishin “një konsideratë legjitime e interesave ruse”.

Një sërë dokumentesh sekrete të vitit 1994 janë bërë të qasshme kohët e fundit falë ligjit që u mundëson historianëve të studiojnë dokumente dhe biseda top-sekret pas 30 vitesh. Siç tregoi dje Frankfurter Allgemeine Zeitung, ato 1,600 faqe zbulojnë të vërteta që shkatërrojnë të gjithë retorikën e një Rusie që është bërë agresive për shkak të kërcënimit nga Aleanca Atlantike. Putin, siç tregon biseda me konsullin gjerman, nuk e ka pranuar kurrë pavarësinë e Ukrainës.

Në atë periudhë të vështirë, kur muri i Berlinit kishte rënë pesë vjet më parë dhe republikat e ish-Bashkimit Sovjetik po ngjalleshin nga dekada sundimi nga Moska, Ukraina përmendej shpesh me shqetësim nga kancelari Helmut Kohl. Ai pati një bisedë telefonike me presidentin amerikan Bill Clinton dhe e paralajmëroi për “tendencat për të vënë në dyshim sovranitetin e Ukrainës”.

Nga një dokument i brendshëm drejtuar ministrit të Jashtëm Klaus Kinkel doli se Kohl ishte i shqetësuar për ekonominë e Ukrainës që po ra në mënyrë drastike dhe për “tendencat e qeverisë konservatore për të kthyer pas reformat”. Gjermania ishte gjithashtu e shqetësuar për furnizimet me energji nga Rusia që kalonin përmes Ukrainës – dhe në fakt, përplasjet mes Moskës dhe Kievit shpesh shkaktonin ndërprerje të furnizimeve me gaz dhe naftë për Europën. Ky ishte një faktor që disa vjet më vonë çoi në ndërtimin e gazsjellësit Nordstream, i krijuar kryesisht për të anashkaluar vendet e kalimit të Lindjes.

Por, gjendja e paqëndrueshme e Ukrainës ndikoi edhe në kujdesin e Kohl për diskutimet që pasuan mbi zgjerimin e NATO-s drejt lindjes. Nga dokumentet e sapo-deklasifikuara del se kancelari i Ribashkimit dhe ministri Kinkel kishin diskutuar në fillim të vitit 1994 në një samit të NATO-s: “Gjermania është veçanërisht e interesuar të integrojë fqinjët e saj të Lindjes në arkitekturën e sigurisë perëndimore”, por “duhet të përfshihen Rusia dhe Ukraina në ndërtimin e strukturave të reja për sigurinë europiane”. Gjermania e ribashkuar, siç dihet, ka tentuar të mbështesë një bashkëpunim ushtarak me vendet e Lindjes në kuadër të “Partnership for Peace” (Partneriteti për Paqe). Polonia dhe vendet baltike synonin të anëtarësoheshin në NATO. Madje edhe para Luftës brutale të Putinit në Çeçeni, Shtetet e Bashkuara ranë dakord për zgjerimin e Aleancës në lindje. Ambasadori gjerman në NATO, von Richthofen, nuk mundi të mos pranojë “ndryshimin” të politikës së Clintonit në “Ostpolitik”.