BURRAT E BESËS/ Përkujtohen Luan Ndregjoni, Ramadan Biba dhe Imer Ndregjoni

Në Tiranë u përkujtuan patriotë shqiptarë që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas u persekutuan nga regjimi komunist. Ceremonia solli në vëmendje emra që mishërojnë besën, humanizmin dhe guximin njerëzor.

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, në Tiranë u nderuan dhe u përkujtuan patriotë që mbrojtën hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por më pas u përballën me ekzekutime dhe persekutim nga regjimi komunist. Luan Ndregjoni, Ramadan Biba dhe Imer Ndregjoni u risollën në vëmendje si emra që mishërojnë besën, fisnikërinë dhe guximin njerëzor.

Besim Ndregjoni, përfaqësues i të përndjekurve politikë, theksoi se këta emra nuk ishin vetëm mbrojtës të hebrenjve, por edhe mbrojtës të nderit shqiptar, ndërsa diktatura komuniste u përpoq t’i fshinte nga kujtesa kolektive.

Sipas tij, rikthimi i këtyre figurave në histori është një detyrim moral dhe kombëtar për t’u treguar brezave se duhet të qëndrojnë në anën e drejtë të historisë.

Ndërkohë, shkrimtari Halil Rama vuri theksin te vlera universale e aktit të tyre, duke e cilësuar mbrojtjen e hebrenjve si shprehje të pastër të besës shqiptare.

Ceremonia përcolli  një mesazh i qartë se humanizmi nuk mund të ekzekutohet dhe se besa dhe nderi janë vlera që i mbijetojnë çdo diktature.