FOTO/ E hënë ishte edhe 26 janari i 1938-ës, dita e fejesës e Mbretit Zog me Geraldinën, njohja e shpejtë e një "martese të vonuar"

E hënë 26 janar 1938 – Gazetat e Budapestit njoftojnë se Kontesha Geraldine Apponyi pritet të fejohet me Mbretin e Shqiptarëve, Ahmet Zogu, 43 vjeçar.

Të nesërmen, oborri mbretëror shqiptar e konfirmoi këtë lajm. Kontesha 22 vjeçare, bija e kontit të ndjerë Gyula Apponyi, ish-oficer hungarez dhe e Virginia Steëart, bija e një diplomati amerikan, ishte katolike dhe punonte në Muzeun Kombëtar të Budapestit kundrejt një pagese të vogël. Lajmi botohet pasi Zogu dhe Geraldinë e kishin pëlqyer njeri-tjetrin. Geraldine ishte takuar me Mbretin Zog në dhjetor 1937, me ndërmjetësimin e motrës së monarkut.

E njohur si Trëndafili i Bardhë i Hungarisë, në prag të martesës, Geraldine u ngrit në statusin mbretëror si Princesha Geraldinë e Shqipërisë. Ajo u bë mbretëreshë e shqiptarëve dhe deri në fund ndau fatin e të shoqit, në ditë të mira a të vështira. Pas vdekjes së Zogut, Geraldine preferoi të njihej si Nëna Mbretëreshë.

Në qershor 2002, ajo kthye nga Afrika e Jugut për të jetuar në Shqipëri, ku edhe vdiq më 22 tetor 2002.

Nata e parë e Geraldinës në Shqipëri

Shkëputur nga libri “Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret” i Blendi Fevziut

- “Herët në mëngjes, u gjenda në kuvertë, pasi s’kisha fjetur gjithë natën. Përpara meje shtrihej Durrësi. Hodha vështrimin mbi muret e lashta romake dhe më tutje ato veneciane, të shpuara nga plumbat turq, dhe prapa maleve, shkëmbinj të lartë graniti gri, që lartësoheshin mbi det. Peizazhi i pazbutur ishte krejt ndryshe nga gjithçka kisha parë deri atëherë.

Na kërkuan të qëndronim në bord derisa të zbarkonin të gjithë udhëtarët e tjerë dhe, kur kalata u boshatis, u shfaq një Mercedes i zi. U përshëndeta nga kolonel Sotir Martini, një ministër i Oborrit, i cili i ndenji pranë Mbretit deri në momentin që vdiq në mërgim në vitin 1950”.

Ky është rrëfimi i Geraldina De Nagy Appony për kontaktin e parë që pati me vendin që do t’i vinte mbi kokë kurorën. Ishte 21 vjeçe dhe e emocionuar. Qe nisur drejt një të panjohure duke besuar në një happy-end.

Në port e priste adjutanti i Mbretit, që e akomodoi si mysafire në familjen Toptani dhe e sqaroi “me takt” se udhëtimi i saj ishte dhe do të mbetej sekret derisa ajo dhe Mbreti të merrnin një vendim. Geraldina u ftua të merrte pjesë në ballon e Vitit të Ri 1938. Gjatë gjithë jetës së saj, në dhjetëra intervista dhe biografi, ajo ka kujtuar gjithnjë momentin e parë kur u gjend përballë me atë që do të bëhej burri i ardhshëm i saj:

“Më dridheshin këmbët dhe nuk shikoja asgjë. Isha jashtë mase e frikësuar. Dhoma ishte aq e gjatë, sa dukej e pafund dhe unë doja vetëm të zhdukesha. Befas, u gjenda ballë për ballë me një fytyrë të hijshme, një burrë i gjatë, pa të meta, i veshur me uniformën e bardhë të kolonelit të përgjithshëm të ushtrisë. Ishin pikërisht sytë që i vura re të parët, sy depërtues bojëqielli.

Kisha praktikuar një përkulje si ato që mësojmë në orët e kërcimit, por e harrova nga hutimi dhe thjesht bëra një përkulje të lehtë. Mbreti menjëherë më ngriti me një buzëqeshje tërheqëse, më falenderoi për vizitën në vendin e tij dhe më pyeti nëse udhëtimi kishte kaluar mirë”.

Geraldina nuk e dinte se pavarësisht fshehtësisë, lajmi për mbërritjen e saj kishte intriguar tej mase kryeqytetin. Pothuajse i gjithë oborri, njerëzit me ndikim dhe diplomatët e dinin që kishte ardhur me aprovimin e Mbretit dhe ishte kandidatura kryesore për t’u bërë Mbretëreshë e Shqipërisë. Mbreti qe aty, së bashku me princeshat që ai ia prezantoi njëra pas tjetrës. Geraldina e kujtonte gjithnjë atë moment:

Fejesa u shpall më 31 janar 1938. Shpallja u bë në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare e thirrur me kërkesën e vetë Mbretit Zog. Kushtetuta e Shqipërisë, parashikonte që kërkesa për fejesën e Mbretit të kalonte për miratim në dy Dhomat e Parlamentit. Salla ishte e mbushur plot dhe në llozhën kryesore qëndronin motrat e Mbretit. Kryetari i Parlamentit njoftoi se të dyja dhomat e kishin aprovuar fejesën dhe se Geraldina mund të bëhej Mbretëreshë e Shqipërisë. Sipas biografes së Geraldinës, atë mbrëmje, Geraldina bëri prezantimin e parë të plotë me familjen e dhëndrit.