TRAGJEDI NGA FUNDOSJA E TRAGETIT/ Filipine, 18 viktima, 317 persona të shpëtuar, 24 ende të zhdukur
Të paktën 18 persona kanë humbur jetën pasi një traget me mbi 350 pasagjerë u mbyt në jug të Filipineve, ndërsa dhjetëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Autoritetet po hetojnë shkaqet e aksidentit, mes dyshimeve për mot të keq dhe probleme të sigurisë
Një traget me më shumë se 350 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi është mbytur në ujërat pranë bregdetit jugor të Filipineve, duke shkaktuar të paktën 18 viktima.
Sipas Rojës Bregdetare Filipinase, ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin 317 persona, ndërsa 24 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Anija po udhëtonte nga ishulli Mindanao drejt ishullit Jolo, kur dërgoi një sinjal emergjence në orën 01:50 të mëngjesit me orën lokale.
Sipas dëshmive të disa të mbijetuarve, deti ishte i trazuar dhe kushtet e motit të pafavorshme në momentin e aksidentit, çka mund të ketë ndikuar në humbjen e kontrollit të anijes.
Pamje të shpërndara nga zyra e menaxhimit të fatkeqësive tregojnë pasagjerë me jelekë shpëtimi, duke qëndruar në ujë dhe duke pritur ndihmën e ekipeve të shpëtimit.
Video të tjera në rrjetet sociale shfaqin të mbijetuar të mbështjellë me batanije, teksa zbresin nga mjetet e shpëtimit në breg.
Shërbimet emergjente raportojnë se janë përballur me vështirësi të mëdha, për shkak të numrit të lartë të të mbijetuarve dhe mungesës së personelit mjekësor.
Filipinet, një shtet arkipelag me mbi 7,100 ishuj, kanë një histori të gjatë aksidentesh detare. Mirëmbajtja e dobët dhe mbingarkesa e trageteve janë konsideruar shpesh si faktorë kryesorë të këtyre tragjedive, megjithëse tragetet mbeten një mjet i domosdoshëm transporti për shkak të kostos së ulët.

