BOTA NË “SHERR” PËR UJIN! Konfliktet e lidhura me burimet ujore janë dyfishuar që nga viti 2022

Dhuna e lidhur me burimet ujore po shënon rritje të fortë në nivel global. Vetëm në vitin 2024 u regjistruan 419 incidente, gati dyfish më shumë se në vitin 2022. Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike, qeverisja e dobët dhe infrastruktura e pamjaftueshme po e kthejnë ujin në burim konflikti.

Dhuna e lidhur me ujin po shënon një rritje alarmante në nivel global. Sipas Institutit Paqësor në SHBA, vetëm gjatë vitit 2024 janë regjistruar 419 incidente të dhunshme të lidhura drejtpërdrejt me mungesën ose kontrollin e burimeve ujore, nga 235 raste në vitin 2022.

Ekspertët theksojnë se konfliktet për ujin nuk kanë një shkak të vetëm, por lidhen me krizën klimatike, keqqeverisjen, korrupsionin dhe mungesën ose keqpërdorimin e infrastrukturës ujore.

Në disa konflikte të armatosura, uji po përdoret edhe si armë lufte. Në Gaza janë shkatërruar sisteme furnizimi dhe impiante të shkripëzimit të ujit, duke e lënë popullsinë pa akses në ujë të pijshëm.

Në Ukrainë, sulmet ndaj digave dhe hidrocentraleve kanë shkaktuar përmbytje dhe mungesë furnizimi për qytete të tëra. Ndërkohë, në Afrikën Lindore thatësirat po detyrojnë mijëra njerëz të zhvendosen drejt zonave të tjera për të gjetur ujë, duke krijuar përplasje me komunitetet pritëse.

Tensione janë regjistruar edhe mes shteteve. Marrëveshjet për ndarjen e ujit të lumit Indus mes Indisë dhe Pakistanit janë vënë në pikëpyetje, ndërsa në Azinë Qendrore po rriten shqetësimet për projekte të mëdha kanalesh që mund të pakësojnë prurjet drejt vendeve fqinje.

Edhe në Shtetet e Bashkuara, lumenj si Kolorado dhe Rio Grande janë kthyer në burim përplasjeje politike mes shteteve dhe me Meksikën.

Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se deri në vitin 2030 kërkesa globale për ujë do të tejkalojë furnizimin me rreth 40 për qind, duke rrezikuar të shndërrohet në një nga shkaqet kryesore të konflikteve të reja në dekadat e ardhshme.