SI “INDIANA JONES”, POR SHKATËRRIMTARË! “Gjahtarët e thesareve” dëmtojnë Urën e Golikut në Pogradec! Banorët e Mokrës kërkojnë ndërhyrjen për të mbrojtur urën historike
Ura e Golikut një monument Kulture i Kategorisë së Parë, në Mokër të Pogradecit po përballet sot me rrezik real shkatërrimi për shkak të gërmimeve të paligjshme nga të ashtuquajturit gjahtarë të thesarë. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për ta shpëtuar monumentin.
Ura e Golikut, Monument Kulture i Kategorisë së Parë, dhe e lidhur historikisht me degëzimin e rrugës antike Egnatia, po përballet me rrezik real shkatërrimi pasi po dëmtohet vazhdimisht në strukturë nga gërmime të paligjshme për ar apo materiale arkeologjike
Dëmtime të tilla janë konstatuar edhe së fundmi, por autorët mbeten të paidentifikuar, pasi gërmimet e të ashtuquajturëve gjuetarë të arit dhe antikuareve bëhen gjatë natës.
Pasojat janë të dukshme: zgavra në themele, çarje në trupin e urës dhe shembje të pjesshme të materialit lidhës, dëmtime që përbëjnë rrezik serioz.
Përveç ndërhyrjeve kriminale, edhe faktorët atmosferikë kanë luajtur rolin e tyre.
Mbi 300 vite ekspozim ndaj reshjeve, ngricave dhe erozionit kanë përshpejtuar degradimin e urës, duke e bërë emergjente ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse.
Në këto kushte, banorët dhe drejtuesit vendorë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Ministria e Turizmit dhe Kulturës, përmes një projekti serioz restaurimi dhe rehabilitimi.
Problemi nuk është i izoluar. Ashtu si Ura e Golikut, edhe varret monumentale të Selcës, vetëm pak kilometra më tutje një tjetër sit arkeologjik me rëndësi të jashtëzakonshme kanë rënë disa herë pre e dëmtimeve të ngjashme. Siguria dhe masat parandaluese janë thuajse zero.
Kjo situatë i ka lehtësuar grabitësit e antikuareve dhe aventurierët e arit të cilët gërmojnë pa asnjë pengesë, duke shkatërruar pasuri të pazëvendësueshme kulturore.

