E quajtën "majmun" një djalë që kapte topat, dy tenistë përballen me burg në Brazil

Në mes të Australian Open, Grand Slam-it të parë të vitit, një incident tragjik ndodhi mijëra kilometra larg në një fushë tjetër tenisi. Konkretisht, ndodhi gjatë një ndeshjeje në dyshe për meshkuj në ATP Challenger në Itajaí, Brazil.

Lojtarët fatkeq të përfshirë ishin venezueliani Luis David Martínez (i renditur i 108-ti në botë në dyshe) dhe kolumbiani Cristian Rodríguez (i 162-ti).

Martinez dhe Rodriguez ishin të renditurit e parë në turne, por u mposhtën nga vendasit Igor Marcones dhe Eduardo Ribeiro në një duel të ashpër që përfundoi 6-7 (4), 7-6 (6) dhe 10-2 për dyshen braziliane.

Tenisti kolumbian dhe ai venezueliani u arrestuan nga policia ushtarake braziliane pas gjesteve të dyshuara raciste ndaj një tifozi në tribunë dhe një djali që po kapte topat.

Sipas shtypit brazilian, Martínez dyshohet se i bëri një gjest majmuni dikujt në tribunë. Rodríguez, nga ana e tij, thuhet se e quajti djalin e topit të përfshirë në incident një "majmun".

Pas këtij incidenti, dy tenistët u raportuan në polici dhe më pas u arrestuan në hotelin e tyre në Santa Catarina. Ata u ndaluan sipas Ligjit 7.716 në Brazil dhe përballen me deri në pesë vjet burg.

"Ajo që ndodhi gjatë ndeshjes së dyshes sot në Itajaí Open u prit me veprime të menjëhershme nga policia ushtarake, e cila ishte e pranishme dhe mori masat përkatëse në përputhje me ligjin brazilian. Itajaí Open dënon me forcë racizmin ose çdo lloj diskriminimi", tha organizata Challenger për median braziliane UOL.