OKB MERR KONTROLLIN E AL-HOL/ Kampi strehonte persona të Shtetit Islamik

OKB ka marrë nën kontroll kampin al-Hol në verilindje të Sirisë. Vendimi vjen pas tërheqjes së forcave kurde dhe trazirave të dhunshme. Kampi strehon mijëra persona me lidhje të dyshuara me ISIS-in.

Kombet e Bashkuara kanë njoftuar se kanë marrë nën menaxhim kampin al-Hol në verilindje të Sirisë, një nga qendrat më të ndjeshme të sigurisë në rajon, ku mbahen mijëra persona të dyshuar për lidhje me grupin xhihadist Shteti Islamik.

Vendimi u mor pasi forcat e drejtuara nga kurdët, që administronin kampin prej vitesh, u tërhoqën përballë avancimit të forcave qeveritare siriane.

Situata solli trazira të mëdha, tentativa arratisjeje, dhunë dhe plaçkitje, duke detyruar agjencitë humanitare të pezullojnë përkohësisht operacionet e tyre.

Duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, zyrtarja Edem Wosornu konfirmoi se agjencia për refugjatët, UNHCR, ka marrë përgjegjësitë e menaxhimit të kampit dhe po bashkëpunon me autoritetet siriane për të rivendosur aksesin humanitar. Forcat siriane kanë krijuar një perimetër sigurie rreth kampit, ndërsa OKB paralajmëron se kushtet mbeten të tensionuara dhe të paqëndrueshme.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë nisur një operacion paralel për transferimin e të ndaluarve me rrezik të lartë.

Deri në 7 mijë luftëtarë të dyshuar të ISIS-it pritet të zhvendosen nga burgjet në verilindje të Sirisë drejt Irakut. Autoritetet irakiane kanë bërë të ditur se të gjithë të transferuarit do të ndiqen penalisht.

Megjithatë, organizatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur alarmin, duke paralajmëruar se të ndaluarit mund të përballen me tortura, dënime me vdekje dhe shkelje të rënda të të drejtave themelore.

Ndër ta, thuhet se ka edhe shtetas të huaj, përfshirë fëmijë.

Çështja e kampit al-Hol mbetet një sfidë serioze për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, ndërsa OKB kërkon zgjidhje afatgjata dhe riatdhesimin e të ndaluarve nga vendet e origjinës.