SPANJË, S’KA PËRGJEGJËS PËR PËRGJIMET! Izraeli nuk iu përgjigj kërkesave zyrtare të gjykatës. Çështja mbetet e ngrirë

Gjykata më e lartë penale e Spanjës ka mbyllur sërish hetimin për përgjimin e telefonave të zyrtarëve të lartë, me programin spiun Pegasus. Hetimi u pezullua për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga autoritetet izraelite, çka e bëri të pamundur identifikimin e përgjegjësve.

Gjykata më e lartë penale në Spanjë ka mbyllur sërish hetimin për përdorimin e një programi spiun, i cili ishte përdorur për të përgjuar telefonat e disa anëtarëve të lartë të qeverisë, përfshirë kryeministrin Pedro Sánchez.

Vendimi u mor për shkak të mungesës së vazhdueshme të bashkëpunimit nga autoritetet izraelite, të cilat dyshohet të jenë përgjegjëse për këtëm, veprim të cilin gjykata e cilësoi si shkelje të parimit të mirëbesimit mes shteteve.

Hetimi nisi në maj të vitit 2022, pasi qeveria spanjolle bëri publike se telefonat e kryeministrit dhe të ministres së Mbrojtjes, Margarita Robles, ishin infektuar me një përgjues të quajtur Pegasus.

Më vonë u konfirmua se ishin shënjestruar edhe telefonat e ministrit të Brendshëm dhe atij të Bujqësisë.

Programi Pegasus prodhohet nga kompania izraelite NSO Group dhe, sipas saj, u shitet vetëm agjencive shtetërore.

Zbulimet shkaktuan tronditje politike në Spanjë, duke çuar në shkarkimin e drejtoreshës së shërbimit sekret spanjoll dhe në pranimin e mangësive serioze brenda Qendrës Kombëtare të Inteligjencës.

Megjithatë, përpjekjet për të zbardhur se kush qëndronte pas përgjimeve hasën vazhdimisht në pengesa.

Gjykatësi José Luis Calama deklaroi se hetimi po mbyllet për herë të dytë, pasi Izraeli nuk iu përgjigj kërkesave zyrtare për informacion, përfshirë kërkesën për të marrë dëshmi nga drejtori ekzekutiv i NSO Group.

Kjo mungesë përgjigjeje, sipas gjykatës, e bëri të pamundur identifikimin e autorëve konkretë.

Hetimi ishte mbyllur fillimisht në korrik 2023, por u rihap disa muaj më vonë pasi autoritetet franceze ofruan informacion mbi përdorimin e Pegasus për të përgjuar politikanë, gazetarë dhe avokatë në Francë.

Sidoqoftë, gjykatësi vlerësoi se të dhënat nga Franca nuk sollën prova të reja që do të ndihmonin në zgjidhjen e rastit spanjoll.

Në vendimin e fundit, Calama theksoi se çështja do të mbetet e ngrirë, përveç rasteve kur Izraeli vendos të bashkëpunojë ose kur dalin prova të reja.