Bordi i Paqes/ Bimo: Rusia dhe Kina dyshojnë mbi planin e paqes së Trump për Gazën

Në një kohë kur sytë e botës janë drejtuar nga Gaza dhe përpjekjet për paqe, iniciativa më e re e presidentit amerikan Donald Trump, "Bordi i Paqes", ka shkaktuar jo pak përçarje në arenën ndërkombëtare.

I ftuar në studion e Ora News, për të analizuar këtë zhvillim diplomatik, ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Roland Bimo, ka zbardhur detaje mbi rezervat e forta që fuqitë botërore kanë shfaqur ndaj këtij projekti, si dhe pozicionin specifik të Shqipërisë.

Sipas diplomatit Bimo, nisma e cila bazohet në rezolutën 2735 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, synon mbikëqyrjen e paqes dhe rindërtimin në Gaza. Megjithatë, rruga drejt firmosjes së këtij pakti nuk ka qenë e shtruar me lule. Rusia dhe Kina, dy anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, kanë abstenuar që në votimin e vitit të kaluar.

"Këto shtete dyshojnë se plani i paqes i Trump nuk ofronte qartësi mbi perspektivën e ngjarjeve në Gaza. Edhe në ditën e nënshkrimit të dokumentit, këto fuqi kanë shfaqur rezerva të hapura për pjesëmarrjen në ceremoni, duke ngritur dyshime se iniciativa mund të synojë anashkalimin apo dublimin e vetë Kombeve të Bashkuara" u shpreh Bimo.

Por ndërsa fuqitë e mëdha dhe vende si Italia po tregohen të kujdesshme, Shqipëria duket se ka zgjedhur një rrugë tjetër, atë të nxitimit institucional.

Parlamenti shqiptar është mbledhur në një seancë të posaçme për të miratuar ftesën e presidentit Trump, një lëvizje që kontraston ndjeshëm me qasjen e Kosovës. Kjo e fundit, ndonëse e ftuar, nuk ka krijuar zhurmë politike dhe as nuk ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme parlamentare për këtë çështje.

Ky nxitim i Tiranës zyrtare për të legjitimuar pjesëmarrjen përmes Kuvendit, përballë hezitimit të aktorëve të tjerë globalë, ngre pyetje mbi peshën reale diplomatike të këtij veprimi dhe nevojën për një bujë të tillë proceduriale në një moment kaq delikat të gjeopolitikës ndërkombëtare", u shpreh Bimo.