'Tronditje' në tregun ndërkombëtar/ Trump kërcënon : Nga 1 shkurti tarifa 10% për vendet evropiane
Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka paralajmëruar vendosjen e tarifave doganore prej 10 për qind ndaj Danimarkës, Norvegjisë, Suedisë, Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Holandës dhe Finlandës, duke nisur nga data 1 shkurt. Këto vende, sipas Uashingtonit, janë përfshirë drejtpërdrejt në dërgimin e trupave ushtarake në Groenlandë.
Ndërkohë, në Evropë po shqyrtohet mundësia e pezullimit të marrëveshjes tregtare të arritur me Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar, e cila ende nuk është ratifikuar nga Parlamenti Evropian. Kërcënimi i një lufte të re tregtare me SHBA-në po rrit pasigurinë dhe nervozizmin në tregjet financiare ndërkombëtare.
Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili po punon për koordinimin e një përgjigjeje të përbashkët evropiane ndaj tarifave amerikane, ka bërë thirrje për aktivizimin e Instrumentit të Bashkimit Evropian Kundër Presioneve. Macron i ka cilësuar kërcënimet e presidentit amerikan si “të papranueshme”.
Tensionet tregtare po zhvillohen paralelisht me hapjen e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, duke shtuar më tej pasigurinë në tregje. Në bursat evropiane u regjistruan rënie të ndjeshme, me Parisin që u hap me -1.5 për qind, Frankfurtin me -1.4 për qind, Madridin me -0.9 për qind dhe Londrën me -0.6 për qind.
Sektorët më të goditur janë ata të industrisë automobilistike, mallrave të luksit dhe teknologjisë. Sipas ekspertëve, investitorët po zhvendosin kapitalin drejt aseteve të sigurta, si metalet e çmuara. Ari dhe argjendi kanë arritur nivele të reja maksimale, pas një rritjeje të fortë të regjistruar javën e kaluar.
