Rutte takim me ministrat e Groenlandës dhe Danimarkës mes përplasjes me SHBA-në

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të zhvillojë sot një takim me ministra nga Danimarka dhe Groenlanda, në mes të një përshkallëzimi të tensioneve mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me Groenlandën.

Në takim, që do të mbahet në selinë e NATO-s në Bruksel, do të marrin pjesë ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, dhe ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen.

Fillimisht nuk është parashikuar asnjë konferencë për shtyp apo aktivitet tjetër për mediat.

Takimi zhvillohet në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump po kërkon marrjen nën kontroll të Groenlandës, duke argumentuar se zotërimi i ishullit është i domosdoshëm për nevojat e sigurisë së SHBA-së.

Aleatët europianë të NATO-s, përfshirë Danimarkën, e kundërshtojnë ashpër këtë qëndrim.

Groenlanda, e cila gëzon autonomi të gjerë, është pjesë e territorit të Danimarkës. Me një popullsi prej pak më pak se 57 mijë banorësh, Groenlanda ka deklaruar vazhdimisht se nuk dëshiron të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara.

Aleatët e NATO-s theksojnë gjithashtu se Groenlanda nuk ka nevojë të merret nën kontroll nga SHBA-ja për të garantuar mbrojtjen e Arktikut.

Trump deklaroi  të shtunën se do të vendosë tarifa doganore prej 10% për mallrat nga tetë vende europiane, duke filluar nga 1 shkurti, të cilat do të rriten në 25% nga 1 qershori, nëse nuk arrihet një zgjidhje që, sipas tij, do të ishte “blerja e plotë dhe totale” e Groenlandës.

Sipas Trump, përveç Danimarkës, tarifat do të prekin edhe Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe, Holandën, Norvegjinë, Finlandën dhe Suedinë.