Danimarka rrit praninë ushtarake në Groenland mes tensioneve me SHBA-në
Danimarka po rrit praninë e saj ushtarake në Groenlandë, në një lëvizje që vjen mes rritjes së tensioneve me Shtetet e Bashkuara për statusin e këtij territori strategjik në Arktik.
Mediat lokale raportojnë se Forcat e Armatosura Daneze kanë konfirmuar vendosjen e më shumë trupave luftarake në Groenlandë.
Një numër i konsiderueshëm ushtarësh danezë pritet të mbërrijnë të hënën në mbrëmje në Kangerlussuaq, ndërsa vendosja i shtohet grumbullimit të vazhdueshëm të personelit ushtarak në territor.
Sipas raportimeve, rreth 100 ushtarë janë tashmë të dislokuar në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës, dhe një numër i ngjashëm në zonën strategjike të Kangerlussuaq.
Trupat do të marrin pjesë në stërvitjen ushtarake “Arctic Endurance”, e cila, sipas autoriteteve daneze, është përshpejtuar dhe intensifikuar pas deklaratave të fundit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, lidhur me Groenlandën.
Presidenti amerikan ka deklaruar se dëshiron “blerjen e plotë dhe totale” të Groenlandës, duke argumentuar se kontrolli mbi territorin është thelbësor për sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe atë globale.
Shtëpia e Bardhë ka lënë të kuptohet gjithashtu se Groenlanda mund të merret edhe përmes forcës ushtarake.
Në të njëjtën kohë, Trump ka paralajmëruar vendosjen e tarifave tregtare ndaj disa vendeve evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Danimarkën, Norvegjinë, Suedinë, Francën, Gjermaninë, Holandën dhe Finlandën, si reagim ndaj kundërshtimit të tyre për kontrollin amerikan të Groenlandës.
Sipas njoftimit, tarifat do të nisin nga 10 për qind deri më 1 shkurt dhe do të rriten në 25 për qind deri më 1 qershor.
Pas këtyre zhvillimeve, tetë vende evropiane lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke denoncuar kërcënimet amerikane dhe duke riafirmuar angazhimin e tyre për sigurinë e Arktikut dhe respektimin e sovranitetit territorial.
