VIDEO/ Gjiknuri: Drafti teknik për financimin e partive politike gati, duhet vendimmarrje për vijimin e procesit

Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Realizimin e Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se Komisioni i Reformës Zgjedhore u formua në tetor të vitit të kaluar pas një procesi dialogu me opozitën, ku u dakordësuan parimet bazë që kanë udhëhequr punën e tij.

Gjiknuri theksoi se, ky komision është një strukturë “sui generis”, pasi funksionon mbi bazën e bashkëdakordësisë dhe bashkëdrejtimit, dhe jo të vullnetit të njëanshëm të njërës palë.

Sipas tij, kjo traditë është ndjekur që prej vitit 2001, me periudha ku janë realizuar reforma të suksesshme, por edhe raste kur mungesa e konsensusit ka çuar në dështim të reformës zgjedhore.

Ai përmendi reformat e viteve 2008, 2012 dhe 2020 si reforma të thella dhe të suksesshme të Kodit Zgjedhor, ndërsa ndryshimet e vitit 2024, sipas tij, nuk mund të konsiderohen një reformë e plotë.

“Sot jemi përballë faktit që Komisioni ka zhvilluar dy mbledhje, ka përcaktuar prioritetet e punës, një agjendë dhe një program që përputhet me rekomandimet e ODIHR-it dhe me prioritetet që rrjedhin nga procesi i integrimit europian, përfshirë ‘interim benchmarks’”, u shpreh Gjiknuri.

Si prioritet kryesor, Komisioni ka vendosur trajtimin e ligjit për financimin e partive politike.

Gjiknuri bëri të ditur se ka nisur një proces pozitiv me dakordësi edhe me palën tjetër dhe me përfshirjen e faktorëve ndërkombëtarë, por aktualisht procesi është ngrirë për shkak të situatës politike pas zgjedhjes së Avokatit të Popullit dhe zhvillimeve të tjera politike.

“Sot kemi një draft teknik për financimin e partive politike, por procesi ka mbetur i pezulluar”, tha ai, duke shtuar se mbetet për t’u parë sesi do të ecet më tej dhe nëse do të merret një vendimmarrje politike për të vazhduar edhe pa mbështetjen e opozitës.

Gjiknuri nënvizoi se, Komisioni ka të gjitha kapacitetet dhe ekspertët kanë nisur punën, ndërsa drafti për partitë politike është gati dhe pritet të përcaktojë edhe trendin e miratimit të paketës së parë të reformës zgjedhore.

Sa i përket Kodit Zgjedhor, Gjiknuri tha se ka më shumë kohë në dispozicion dhe synimi është që puna të përfundojë deri në qershor-korrik.