PËRPLASJA PËR OPERACIONET E ICE! Hetim zyrtarëve dhe kufizime gjyqësore pas tensioneve në Minneapolis

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka nisur hetim ndaj guvernatorit të Minesotës dhe kryetarit të Bashkisë së Minneapolis për pengim të dyshuar të operacioneve të ICE-së, çka ata e quajnë vendim politik. Ndërkohë, një gjyqtare federale ka vendosur kufizime të forta ndaj përdorimit të forcës nga agjentët e ICE-së gjatë protestave, vendim i cilësuar si fitore për protestuesit dhe mbrojtje e të drejtave kushtetuese.

Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka hapur një hetim ndaj Guvernatorit të Minesotës, Tim Ëalz, dhe Kryetarit të Bashkisë së Minneapolis, Jacob Frey, nën dyshimet se kanë penguar operacionet federale kundër emigracionit të paligjshëm nga forcat e ICE.

Hetimi sipas mediave amerikane bazohet në deklaratat publike të dy zyrtarëve demokratë, të cilët kanë kritikuar ashpër praninë dhe veprimet e agjentëve federalë të imigracionit në qytet.

Ëalz dhe Frey e kanë cilësuar vendimin si një taktikë frikësimi politik dhe si “armatosje të sistemit të drejtësisë” nga administrata Trump.

Zhvillimi vjen në një moment të ndjeshëm për Minneapolis-in, ku protestat janë shtuar pas vrasjes së një gruaja nga një agjent I ICE, në një protestë, ngjarje që ngjalli reagime

Ndërkohë, një gjyqtare federale, ka vendosur kufizime të rrepta ndaj përdorimit të forcës nga agjentët e ICE-së në Minneapolis.

Me një urdhër të përkohshëm gjyqësor, ajo ndalon përdorimin e sprejit me piper, municioneve jo-vdekjeprurëse dhe arrestimin e protestuesve paqësorë pa bazë të qartë ligjore.

Vendimi është cilësuar si fitore për protestuesit, të cilët kanë denoncuar shkelje të të drejtave kushtetuese dhe përdorim disproporcional të forcës nga autoritetet federale.

Gjykata thekson se pjesëmarrja në protesta paqësore nuk përbën arsye për ndalim apo arrestim.

Nga ana tjetër, administrata Trump ka mbrojtur veprimet e ICE-së dhe ka akuzuar udhëheqësit lokalë për nxitje të trazirave.

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se situata po monitorohet, por se aktualisht nuk ka plane për aktivizimin e Aktit të Kryengritjes.

Tensionet mes autoriteteve federale dhe atyre lokale mbeten të larta, ndërsa hetimi dhe vendimi gjyqësor pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si do të vazhdojnë operacionet e imigracionit në Minneapolis.