Britania e Madhe rrit mbështetjen për infrastrukturën energjetike të Ukrainës me 23 milionë euro

Britania e Madhe do të japë edhe 23 milionë euro për të mbështetur infrastrukturën energjetike të Ukrainës gjatë sulmeve ruse.

Kjo vjen ndërsa të dy vendet shënojnë përvjetorin e parë të një partneriteti 100-vjeçar, ndërsa lufta në Ukrainë i afrohet fundit të vitit të katërt.

Financimi, i cili e çon mbështetjen totale të Britanisë së Madhe për sektorin energjetik të Ukrainës në mbi 542 milionë euro, do të shkojë për riparimin dhe mbrojtjen e furnizimit me energji të Ukrainës dhe për mirëmbajtjen e ngrohjes në shtëpitë në të gjithë vendin gjatë kushteve të ashpra të dimrit.

Britania e Madhe po zgjeron gjithashtu programin e saj të binjakëzimit të shkollave në 300 shkolla të tjera në të dy vendet gjatë tre viteve të ardhshme.

“Partneriteti ynë 100-vjeçar me Ukrainën përfaqëson gjithçka që Vladimir Putin po përpiqet të shkatërrojë, duke sjellë shpresë, mundësi dhe siguri më të madhe për të dy vendet tona”, tha kryeministri i Britanise së Madhe, Keir Starmer.

“Populli i Ukrainës nuk duhet të ketë asnjë dyshim – ne do të qëndrojmë me ju sot, nesër dhe për 100 vitet e ardhshme, si në vend ashtu edhe në skenën ndërkombëtare, sepse ajo që ndodh në Ukrainë ka rëndësi për të gjithë ne”, shtoi ai.

“Mbështetja jonë për Ukrainën ndërsa ajo vazhdon t’i rezistojë luftës barbare të Putinit është e palëkundur, dhe mbështetja jonë e vazhdueshme për sigurinë dhe qëndrueshmërinë energjetike do të ndihmojë për të mbajtur dritat ndezur dhe shtëpitë ukrainase të ngrohta kur civilët e cenueshëm kanë më shumë nevojë për të”, tha ministrja e Jashtme, Yvette Cooper.