Sindikatat kundër/ Rritje 45% e biletave në Luvër për vizitorët nga jashtë Evropës, bileta do kushtojë 32 euro
Muzeu i Luvrit në Paris ka rritur çmimin e biletave për shumicën e vizitorëve nga vendet jashtë Evropës me rreth 45%, në një përpjekje për të përmirësuar gjendjen financiare pas grevave të përsëritura, mbipopullimit kronik dhe problemeve serioze të sigurisë që kanë tronditur institucionin.
Sipas vendimit të ri, çmimi i hyrjes për vizitorët individualë jo-evropianë është rritur nga 22 euro në 32 euro. Muzeu bëri të ditur se kjo masë është pjesë e një politike kombëtare të quajtur “çmimi i diferencuar”, e shpallur vitin e kaluar dhe që po zbatohet edhe në institucione të tjera kryesore kulturore, si Pallati i Versajës, Opera e Parisit dhe Sainte-Chapelle.
Rritja prek vizitorët që nuk janë qytetarë apo banorë të Bashkimit Evropian, Islandës, Lihtenshtajnit dhe Norvegjisë. Grupet e organizuara me guidë do të paguajnë 28 euro për person, ndërsa numri i pjesëmarrësve në ture është kufizuar në 20 persona, me qëllim ruajtjen e cilësisë së vizitës.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta nga sindikatat franceze. CGT Culture e ka dënuar politikën, duke argumentuar se ajo e shndërron aksesin në kulturë në një “produkt komercial” dhe cenon misionin universal të muzeut më të vizituar në botë.
Edhe vizitorët kanë shprehur mendime të ndryshme. Disa turistë e kanë vënë në pikëpyetje logjikën e çmimeve më të larta për të huajt, ndërsa të tjerë thonë se do ta vizitojnë gjithsesi Luvrin, pavarësisht kostos. “Është një nga atraksionet kryesore të Parisit, do të shkojmë patjetër”, tha një turiste nga Kanadaja.
Muzeu thekson se disa kategori mbeten të përjashtuara nga pagesa, përfshirë vizitorët nën moshën 18 vjeç. Rritja e fundit e çmimeve vjen pas një tjetër rritjeje në janar 2024, kur bileta standarde u shtrenjtua nga 17 në 22 euro.
Ndërkohë, Luvri nuk është i vetmi institucion që aplikon çmime të dyfishta. Versaja, Sainte-Chapelle dhe atraksione të tjera kryesore në Francë kanë prezantuar struktura të ngjashme tarifash, duke ndjekur një trend gjithnjë e më të përhapur në vendet turistike në mbarë botën, ku vizitorët e huaj paguajnë më shumë se banorët vendas.
