Të veshur si ushtarë, grabitën dyqanin e arit në Bregun Perëndimor/ Arrestohen tre persona izraelitë dhe palestinezë
Autoritetet izraelite arrestuan dy shtetas izraelitë dhe një palestinez, të cilët u shtirën si ushtarë për të grabitur një dyqan bizhuterish në Bregun Perëndimor.
Sipas policisë izraelite, të dyshuarit u arrestuan teksa përpiqeshin të largoheshin pas një grabitjeje të armatosur në qytetin Daharia, në jug të Bregut Perëndimor.
Ata kishin hyrë në komunitetin palestinez me një automjet të pajisur me dritë kërkimi dhe të veshur me uniforma ushtarake, jelekë antiplumb dhe helmeta, duke u paraqitur si forca sigurie.
Duke u shtirur si ushtarë, autorët sulmuan dyqanin e bizhuterive, grabitën një sasi të madhe ari, kërcënuan civilët e pranishëm dhe shkaktuan dëme në ambientet e dyqanit.
Pas grabitjes, ata tentuan të largoheshin drejt hyrjes jugore të qytetit.
Operacioni i arrestimit u zhvillua në zonën Samua, pranë kufirit mes Bregut Perëndimor dhe Izraelit, nga një forcë e përbashkët e policisë, ushtrisë dhe rojeve kufitare izraelite.
Policia bëri të ditur se autorët janë beduinë nga jugu i Izraelit, ndërsa ushtria sqaroi se grupi përbëhej nga një palestinez dhe dy qytetarë izraelitë. Beduinët janë një komunitet që jeton si në Izrael ashtu edhe në Territoret Palestineze dhe kanë shpesh shtetësi të ndryshme.
