BESIMTARËT SFIDOJNË TË FTOHTIN! Zhyten në ujë me akull, si pjesë e një rituali tradicional në Japoni (PAMJET)
Dhjetëra besimtarë në Japoni sfiduan të ftohtin ekstrem duke u zhytur në ujë me akull në kuadër të ritualit tradicional për pastrim shpirtëror dhe lutje për shëndet të mirë. Simbolika sipas tyre qëndron tëk harmonizimi me natyrën dhe largimi i energjive negative.
Dhjetëra besimtarë në Japoni kanë sfiduar të ftohtin ekstrem duke u zhytur në ujë me akull, si pjesë e një rituali tradicional që synon pastrimin shpirtëror dhe lutjet për shëndet të mirë.
Rituali, i njohur si “Kanchu Misogi”, u zhvillua në Tokio dhe mblodhi rreth 100 pjesëmarrës, kryesisht burra të veshur me rroba tradicionale të bardha, simbol i pastërtisë.
Nën tingujt e daulleve dhe flautëve, pjesëmarrësit u lutën duke thirrur emrin e perëndeshës së pastrimit “Haraedo-no-Okami”, përpara se të vraponin rreth faltores dhe të kryenin ushtrime për t’u përgatitur për zhytjen në një pishinë të mbushur me copa akulli.
Gjatë ritualit, besimtarët hidhnin ujë mbi trupin e tyre me kova druri, duke thirrur “ai” për të përballuar të ftohtin, ndërsa të pranishmit i brohorisnin për kurajën.

Ky është viti i 71-të që rituali zhvillohet në këtë faltore.
Pastrimi shpirtëror është një element thelbësor i fesë Shinto, një nga besimet më të vjetra të Japonisë, e cila synon largimin e energjive negative dhe ruajtjen e harmonisë me natyrën.
Fillimisht i dedikuar vetëm hyjnisë lokale, rituali sot është i hapur edhe për publikun, por interesimi këtë vit ishte aq i madh sa regjistrimet u mbyllën më herët nga organizatorët.

