Ekspozita “Vija, vazhdimi i pikës”, në galerinë FAB

Galeria “FAB” çeli, në fundjavë, ekspozitën “Vija, vazhdimi i pikës” e piktorit Eshref Qahili.

E kuruar nga Nita Qahili dhe Sadik Spahija,  ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 19 janar.

Eshref Qahili e shikon vijën si vazhdimin e pikës; krijimin e mendimit; përjetim të momentit; formim të spiritualitetit dhe ngritje të ekuilibrit.

Në shkrimin e kuratores së ekspozitës thuhet se, vizatimet e Eshref Qahilit fillojnë si skica, të lindura nga momentet kur artisti është i humbur në mendime, i ndikuar nga përvojat dhe i përndjekur nga përjetimet e ndryshme kohore.

Përmes këtyre vizatimeve krijohet një ndërlidhje në mes të rikrijimit dhe riformulimit të mendimeve dhe përvojave personale.

Ekspozita “Vija, vazhdimi i pikës”, në galerinë FAB

Si për Qahilin, gjithashtu edhe për hulumtuesit e fushave shoqërore, akademike e vizuale, vizatimi konsiderohet shtyllë themelore e arsimit dhe praktikës artistike, esenciale për zhvillimin e aftësive njohëse dhe vëzhguese.

Ashtu si vetë Daoistët, vijën e Qahilit e shohim të tërhequr dhe në lëvizje mbi materiale të ndryshme, thëngjill, kimik, tush apo pastel, ndërsa ai përpiqet të kuptojë natyrën e realitetit dhe vendin ku jeton, si dhe ushtrimin e mendimit filozofik dhe shpirtëror.

Eshref Qahili ka lindur në vitin 1960 në Rahovicë, të Luginës së Preshevës. Në vitin 1983 u diplomua për pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura të Prishtinës dhe më pas, në të njëjtën akademi në vitin 1997, përfundoi studimet pasuniversitare për pikturë.

Prej vitit ’90, Qahili është autor i mbi 20 ekspozitave vetjake dhe shumë të tjerave të përbashkëta brenda dhe jashtë Kosovës në: Angli, Indi, Irlandë, Amerikë, Francë, Itali, Qipro, Japoni, Turqi, Kanada, Poloni, Meksikë, Rumani, Kinë etj. Arti i tij është vlerësuar me çmime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Aktualisht është përgjegjës i katedrës së ilustrimit dhe vizatimit në Fakultetin e Arteve, në Universitetin e Prishtinës.