"Operacioni ushtarak amerikan për të marrë Groenlandën"/ Meloni: I pamundur!

Një sulm ushtarak amerikan ndaj Groenlandës, me qëllim aneksimin është i pamundur, tha kryeministrja italiane, Georgia Meloni gjatë konferencës së saj për shtyp në Romë të premten.

"Nuk besoj në hipotezën se Shtetet e Bashkuara do të nisin veprime ushtarake në Groenlandë - një opsion që nuk do ta mbështesja", tha Meloni.

Një veprim i këtij lloji nuk do të ishte në interesin e askujt dhe nuk do të ndihmonte askënd, tha ajo. "Mendoj se nuk do të ishte as në interes të SHBA-së, për të qenë e qartë", tha ajo.

Lidhur me një reagim të mundshëm evropian ndaj një operacioni ushtarak amerikan, Meloni tha: "Nëse lind kjo mundësi, ne do të flasim për të." Meloni shihet si person i afërt me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, personalisht dhe ideologjikisht.

Sulmi ushtarak amerikan ndaj Venezuelës më pak se një javë më parë ka rritur shqetësimin ndërkombëtar në lidhje me qëllimet e SHBA-së në lidhje me Groenlandën, pasi Trump ka thënë vazhdimisht se SHBA-të kanë nevojë për ishullin, i cili shtrihet në Rrethin Arktik, për sigurinë e tyre.

Groenlanda, me popullsinë e saj prej më pak se 57,000 banorësh, është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, por gëzon autonomi të konsiderueshme, përveç në fushat e mbrojtjes dhe politikës së jashtme. Shumë banorë të Groenlandës mbështesin pavarësinë e plotë.

Meloni vuri në dukje se Groenlanda ishte strategjikisht e rëndësishme për SHBA-në dhe se shumë lojtarë të huaj ishin aktivë në rajon.

Ajo shprehu mirëkuptim për shqetësimet e SHBA-së. "Mendoj se mesazhi nga SHBA-ja është se ata nuk do të pranojnë ndërhyrje të tepërta nga lojtarët e huaj", tha ajo./ DPA News.