EVERESTI “MBYTET” NGA MBETJET/ Nepali vendos tarifë të re për pastrimin e malit më të lartë në botë

Autoritetet e Nepalit kanë vendosur të shfuqizojnë skemën e depozitës për pastrimin e mbetjeve në malin Everest, duke pranuar se ajo ka dështuar. Pas më shumë se një dekade, mali më i lartë në botë vijon të mbetet i mbuluar nga tonelata mbeturinash të lëna nga alpinistët.

Pas më shumë se një dekade në fuqi, autoritetet e Nepalit kanë vendosur të heqin skemën që detyronte alpinistët të sillnin mbrapsht të paktën 8 kilogramë mbeturina nga mali Everest.

Masa, e cila parashikonte një depozitë prej 4 mijë dollarësh për çdo alpinist, nuk arriti të japë rezultatet e pritshme, ndërsa mali vazhdon të përballet me ndotje serioze.

Sipas Ministrisë së Turizmit, edhe pse shumica e alpinistëve e merrnin mbrapsht depozitën, mbetjet kryesore vazhdonin të grumbulloheshin në kampet e larta, aty ku mbikëqyrja është e vështirë.

Sipas ekspertëve, shumica e mbeturinave përbëhen nga bombola oksigjeni, tenda të braktisura dhe ambalazhe ushqimore, që nuk rikthehen kurrë poshtë.

Autoritetet pranojnë se skema nuk funksionoi për shkak të mungesës së kontrollit real në lartësi dhe faktit se mbetjet më problematike nuk përfshiheshin në sistemin e raportimit.

Si pasojë, qeveria ka vendosur ta zëvendësojë me një tarifë të detyrueshme, e cila nuk do të rimbursohet dhe do të përdoret për pastrimin dhe monitorimin e zonës.

Tarifa e re pritet të financojë ekipe të posaçme që do të patrullojnë kampet e larta dhe do të mbledhin mbeturinat, në përpjekje për të frenuar degradimin e një prej simboleve më të njohura natyrore të botës.

Autoritetet theksojnë se masa është e domosdoshme për të mbrojtur mjedisin dhe për të garantuar që Everesti të mos kthehet në një vendgrumbullim mbetjesh.