Ndërron jetë Khaleda Zia, kryeministrja e parë grua e Bangladeshit
Khaleda Zia, kryeministrja e parë grua e Bangladeshit dhe një nga figurat më të rëndësishme të politikës së vendit, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë, raporton BBC.
Zia u bë kryeministre në vitin 1991, pasi udhëhoqi partinë e saj drejt fitores në zgjedhjet e para demokratike të Bangladeshit pas 20 vitesh.
Mjekët kishin deklaruar të hënën se gjendja e saj shëndetësore ishte “jashtëzakonisht kritike”. Ajo ishte vendosur në aparate mbështetëse për jetën, por për shkak të moshës dhe shëndetit të përgjithshëm të dobët, nuk ishte e mundur të kryheshin disa trajtime njëkohësisht.
Pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore, partia e saj kishte bërë të ditur më herët se Khaleda Zia pritej të kandidonte në zgjedhjet e përgjithshme të planifikuara për në shkurt, të parat që nga revolucioni që çoi në rrëzimin e rivales së saj politike, Sheikh Hasina.
Politika e Bangladeshit për dekada me radhë është dominuar nga përplasja e ashpër mes këtyre dy grave, të cilat alternoheshin mes pushtetit dhe opozitës.
“Udhëheqësja jonë e dashur nuk është më me ne. Ajo u nda nga jeta sot në orën 6 të mëngjesit,” njoftoi Partia Nacionaliste e Bangladeshit (BNP) përmes një postimi në Facebook.

