Aksident i rëndë ajror në New Jersey/ Përplasen dy helikopterë, raportohet për një viktim

Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë pasi dy helikopterë u përplasën në ajër në shtetin e New Jersey-t.

Aksidenti ndodhi të dielën rreth orës 11:25 të paradites me orën lokale, mbi aeroportin komunal të Hammonton-it, njoftoi shefi i policisë lokale, Kevin Friel.

Ekipet e emergjencës u përgjigjën menjëherë pas raportimit të përplasjes ajrore.

Policia dhe zjarrfikësit shuan flakët që kishin përfshirë njërin prej helikopterëve.

Një person u shpall i vdekur në vendngjarje, ndërsa tjetri u transportua në spital në gjendje kritike, në rrezik për jetën.

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) e përshkroi ngjarjen si një përplasje në ajër midis një helikopteri Enstrom F-28A dhe një Enstrom 280C.

Sipas autoriteteve, në secilin helikopter ndodhej vetëm piloti.