Çarmatimi i Hamas dhe faza e dytë e a*mëpushimit në Gaza/ Netanyahu dhe Trump ndërmarrin diskutimet në Florida

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ndodhet në Florida ku do të takohet me Presidentin e SHBA-së Donald Trump pasditen e së hënës, ndërsa bisedimet pritet të përqendrohen në të ardhmen e armëpushimit në Gaza.

Uashingtoni dhe ndërmjetësuesit në rajon duan të përshpejtojnë procesin për të zbatuar fazën e dytë të marrëveshjes bazuar në planin e propozuar nga presidenti i SHBA-së.

Armëpushimi në Rripin e Gazës midis ushtrisë izraelite dhe Hamasi, në fuqi që nga 10 tetori, mbetet i brishtë.

Kjo fazë e dytë parashikon çarmatimin e Hamasit, tërheqjen progresive të trupave izraelite nga enklava, formimin e autoriteteve kalimtare dhe vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi.

Bisedimet do të përqendrohen gjithashtu në programin bërthamor të Iranit, Sirinë dhe çarmatimin e lëvizjes Hezbollah të Libanit.

Bisedimet për të filluar fazën e dytë duken të bllokuara, pavarësisht qëllimit të deklaruar publikisht nga Amerika për të bërë përparim.

I dërguari special i presidentit të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner, u takuan me përfaqësues të Katarit, Egjiptit dhe Turqisë në fillim të këtij muaji në Miami.

Përpara se të fillojnë bisedimet për fazën e dytë, Izraeli po kërkon kthimin e eshtrave të pengut të fundit të mbajtur nga lëvizja islamiste në Rripin e Gazës.

Hamasi kundërshton duke thënë se deri më tani nuk ka qenë në gjendje t’i gjejë ato.